Raporti vjetor i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) për vitin 2020 së bashku me raportin vjetor të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) tani janë në dispozicion në internet në tri gjuhët e gjykatës: shqipe, serbishte dhe anglishte. Raporti vjetor përshkruan zhvillimet në Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar gjatë vitit 2020.
Ndërsa në fillim të vitit po shpërndahej pandemia KOVID-19, DHSK-ja ka marrë masa në pajtim me rekomandimet dhe vendimet e autoriteteve përgjegjëse të shëndetit publik, në përgjigje të situatës së krijuar, duke ruajtur vazhdimësinë e punës dhe operacionet e plota të DHSK-së.
Aktiviteti i DHSK-së dhe ZPS-së u rrit dukshëm gjatë vitit 2020, me fillimin e procedurave gjyqësore dhe arrestimin e shtatë personave në tri çështje të ndryshme. Gjatë vitit, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, paneli i Gjykatës së Apelit dhe Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese u angazhuan në veprimtari gjyqësore.
Kryetarja Trendafilova, duke komentuar lidhur me fillimin e procedurave publike, tha: “Dhomat e Specializuara u themeluan për të ndarë drejtësi përmes procedurave të sigurta, të pavarura, të paanshme dhe efikase, dhe ne do t'a bëjmë këtë. Është me rëndësi madhore që këto procedura të jenë publike sa më shumë të jetë e mundur dhe që njerëzit në Kosovë dhe në rajon mund t'i ndjekin ato përmes faqes sonë të internetit dhe të marrin informacione të rregullta përmes raporteve, lajmeve dhe materialit informues. "
Administratorja Fidelma Donlon, e cila menaxhon me ofrimin e shërbimeve mbështetëse gjyqësore, lidhur me vitin 2020 tha: “Zyra Administrative ka dëshmuar aftësinë e saj për të mbështetur procedura të drejta dhe efikase në një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur. Ne kapërcyem me sukses një numër sfidash, për të siguruar transferimin e sigurt të personave të ndaluar në Hagë dhe menaxhimin e procedurave gjyqësore në të cilat të gjitha palët dhe të paraburgosurit mund të merrnin pjesë në mënyrë të sigurt duke përfshirë përdorimin e video-konferencave nga distanca.”
Konfirmimi i aktakuzës së parë para DHSK-së shënoi fillimin e procesit për aplikimin e viktimave për të marrë pjesë në procedura dhe Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave ka pranuar aplikime zyrtare në dy çështje në vitin 2020, si dhe disa kërkesa në lidhje me procesin.