Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) është një prokurori e ndërkombëtarizuar dhe e zhvendosur në Hagë, që u krijua për hetimin dhe, nëse është e nevojshme, për ndjekjen penale të individëve për krimet e pretenduara në raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) të janarit të vitit 2011 me titull “Trajtimi çnjerëzor i personave dhe trafikimi i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovë”.
E themeluar më 1 shtator 2016, ZPS-ja trashëgoi punonjësit dhe mandatin e Task Forcës Hetimore Speciale (TFHS), bazuar në një Amendament Kushtetues si dhe në Ligjin Special për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 3 gusht 2015.
ZPS-ja është duke kryer hetime të krimeve të rënda ndërkufitare dhe ndërkombëtare, përfshirë krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, sikurse përkufizohen në të drejtën zakonore ndërkombëtare dhe siç janë përcaktuar në Ligjin Special për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Ndër të tjera, ZPS-ja ka kompetencë të kërkojë paraqitjen dhe marrjen në pyetje të të dyshuarve, viktimave dhe dëshmitarëve, të mbledhë dhe shqyrtojë informacione dhe prova, dhe të marrë vendime për fillimin, vazhdimin ose pushimin e procedurave penale. Ajo synon të nxjerrë para përgjegjësisë individë për krime që mbulohen nga mandati i saj.
Dhomat e Specializuara kanë përparësi mbi të gjitha gjykatat e tjera në Kosovë. Dhomat e Specializuara ose ZPS-ja mund të urdhërojnë transferimin e procedurave brenda juridiksionit të tyre, prej çdo prokurori apo gjykate tjetër në territorin e Kosovës tek Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe ZPS-ja, në çfarëdo faze të hetimeve apo të procedurave gjyqësore. Dhomat e Specializuara dhe ZPS-ja mund t’i japin urdhër një gjykate në Kosovë t’u dorëzojnë çfarëdo lënde gjyqësore apo hetimi që përfshihet në juridiksionin e Dhomave të Specializuara ose të ZPS-së.
Të gjitha gjykatat dhe prokurorët e Kosovës duhet të njoftojnë pa vonesë Dhomat e Specializuara dhe ZPS-në nëse vihen në dijeni për ndonjë rast procedure penale që përfshihet në juridiksionin e Dhomave të Specializuara.
ZPS-ja është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por është e vendosur në Holandë, në bazë të Marrëveshjes me Shtetin Pritës midis Holandës dhe Kosovës të 15 shkurtit 2016. Është një institucion i përkohshëm me mandat dhe juridiksion specifik që përfshin disa krime kundër njerëzimit, krime lufte, dhe krime të tjera të parapara në legjislacionin e Kosovës të cilat pretendohet se kanë ndodhur ndërmjet 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000.
Të gjithë punonjësit e ZPS-së – ku përfshihen prokurorë, hetues, analistë, specialistë të sigurisë, dhe punonjës mbështetës – janë ose shtetas të një shteti anëtar të BE-së, ose vijnë nga pesë shtete kontribuese që nuk janë anëtare të BE-së: Kanadaja, Norvegjia, Zvicra, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara.
Më shumë informacion rreth ZPS-së mund të gjeni në fletinformacionin në vijim.