Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) Ekaterina Trendafilova dhe Administratorja dr. Fidelma Donlon iu drejtuan sot shoqërisë civile dhe gazetarëve, iu përgjigjën pyetjeve, u informuan për çështjet e ngritura si shqetësime nga pjesëmarrësit si dhe shpjeguan mandatin dhe veprimtaritë e institucionit gjyqësor që ato përfaqësojnë. Komunikimi dhe ndërgjegjësimi kanë qenë përparësi kyçe e DHSKsë që nga fillimi i punës së saj dhe pas fillimit të procedurave, Presidentja dhe Administratorja kanë intensifikuar angazhimin e tyre në komunikim dhe ndërgjegjësim.

“Si shërbyes publik, puna e të cilëve do të ndikojë dhe do të jetë me interes për njerëzit në Kosovë dhe gjetkë, ne jemi të përkushtuar që të komunikojmë mbi mandatin e gjykatës dhe të punojmë në një mënyrë sa më transparente për publikun,” tha gjykatëse Trendafilova.

Në përgjigje të pyetjeve mbi pavarësinë dhe përkushtimin e gjykatës, Kryetarja Trendafilova theksoi deklaratën solemne të cilën ajo dhe të gjithë gjykatësit e kanë marrë përsipër për të ushtruar funksionet e tyre në mënyrë të pavarur dhe të paanshme. "Pavarësia e gjykatësve është parim themelor i profesionit të gjyqësorit," tha ajo.

Duke pasur parasysh situatën aktuale me COVID-19 dhe nevojën për të respektuar të gjitha masat e shëndetit publik, veprimtaria interaktive u mbajt me qytetarë, shoqërinë civile dhe gazetarë të cilët morën pjesë personalisht dhe online. Administratorja, Fidelma Donlon, shpjegoi se DHSK-ja siguron menaxhimin e shëndoshë financiar të burimeve që i janë besuar duke ruajtur pavarësinë e plotë në kryerjen e procedurave gjyqësore.

Administratorja foli gjithashtu për rëndësinë e mbrojtjes së dëshmitarëve, pjesëmarrjen e viktimave dhe se si Zyra Administrative siguron menaxhimin e objektit të paraburgimit në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare.

Burimi: 
Dhomat e specializuara