Në fillimin e gjykimit të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, që akuzohen për pengim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe frikësim e hakmarrje ndaj dëshmitarëve, Prokurori i Specializuar Xhek Smith e përshkroi çështjen gjyqësore si një çështje “që lidhet me kushtet që kërkohen për administrimin e drejtë të drejtësisë” dhe “atë që kërkohet për ta bërë sundimin e ligjit një realitet”.

Prokurori i Specializuar tha se e vërteta përbën themelin e drejtësisë dhe një e vërtetë që shpjegon pse është i nevojshëm zhvillimi i këtij gjyqi është fakti “se ekziston një grup i vogël por i fuqishëm njerëzish në Kosovë që nuk duan që kjo Gjykatë të ekzistojë dhe që do të bëjnë çdo gjë për ta dëmtuar atë në një përpjekje të kotë për të shpëtuar një përshkrim të rremë se asnjë ushtar i UÇK-së nuk kreu krime gjatë luftës.”

Z. Smith vuri në dukje se z. Gucati dhe z. Haradinaj i përkasin këtij grupi dhe denigrojnë këdo që bashkëpunon me Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe ZPS-në duke i quajtur “spiunë”, “bashkëpunëtorë”, dhe “tradhtarë” që kanë “tradhtuar” bashkëpatriotët e tyre.

Prokurori i Specializuar theksoi se Dhomat e Specializuara duhet të jenë një gjykatë që e vë fokusin tek viktimat dhe një pjesë e arsyes pse ajo u krijua, dhe pse e ka selinë në Hagë, është “klima e frikësimit të dëshmitarëve dhe ndërhyrjes në procese që ekziston në çështjet gjyqësore penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së”.

“Kjo klimë ka pasur efekt në të shkuarën duke parandaluar dëshmitarët që të vinin në Gjykatë dhe të thoshin atë që ata dinin për krimet e UÇK-së,” tha z. Smith. “Të akuzuarit e njohin mirë këtë histori dhe shpresuan që të përdornin të njëjtën strategji këtu për të frikësuar dëshmitarët sepse kjo kishte pasur efekt në të shkuarën.”

Prokurori i Specializuar deklaroi se administrimi i drejtë i drejtësisë kërkon krijimin dhe mbështetjen e forcimit të institucioneve që mund të mbrojnë ata që kërkojnë drejtësi dhe se Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë aftësinë për të ofruar drejtësi për shumë viktima në Kosovë.

“Arsyeja pse e ka këtë fuqi është se ajo përbën një vend të sigurt për dëshmitarët që të flasin hapur për krimet që panë, krimet prej të cilave vuajtën vetë, krimet prej të cilave panë të vuajnë anëtarët e familjeve të tyre,” tha ai. “Dhe çka është më vendimtare, ajo përbën një vend ku ata mund ta bëjnë këtë pa pasur frikë nga hakmarrja dhe ndëshkimi.”

Prokuroria do të fillojë paraqitjen e provave në çështjen e saj gjyqësore duke filluar nga e hëna e ardhshme, 18 tetor.

Burimi: 
Zyra e Prokurorit tё specializuar