Nga data 5 deri më 8 shkurt 2018, Dhomat e Specializuara të Kosovës vazhduan konsultimet me organizata joqeveritare dhe organizata të tjera të shoqërisë civile në Kosovë, siç ishte njoftuar edhe më parë gjatë vizitës së Kryetares Trendafilova në Kosovë në nëntor të vitit 2017. Konsultimet me OJQ-të e Kosovës janë pjesë qendrore e programit për informim dhe ndërgjegjësim të Dhomave të Specializuara të Kosovës, me mbështetjen financiare të qeverisë zvicerane.

Konsultimet për informim dhe ndërgjegjësim u fokusuan në marrjen e mendimeve të OJQ-ve dhe mënyrat e ndërtimit të partneriteteve me organizatat vendore dhe përhapjen e informacionit mbi punën e Dhomave të Specializuara. Synimi është që të forcohet komunikimi i drejtpërdrejtë me shoqërinë e Kosovës përmes një rrjeti informacioni që përfshin shoqërinë civile, rininë, profesionistë të fushës së ligjit, mediat, dhe të tjerë.

Gjatë dy viteve të ardhshme, Dhomat e Specializuara do ta përforcojnë praninë e tyre në Kosovë përmes konsultimeve të shpeshta me organizata, veprimtarive informuese me gazetarë dhe të tjerë, leksioneve për studentët dhe profesionistët në fushën e ligjit, mbledhjeve nëpër komuna dhe diskutimeve në panele, si dhe përmes përhapjes së rregullt të informacionit përmes buletineve dhe medias. 

Burimi: 
Dhomat e specializuara