Ambasadorët e Komitetit Politik dhe të Sigurisë (KPS) të Bashkimit Evropian (BE) vizituan sot Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS). Kryetarja Ekaterina Trendafilova dhe Administratorja Fidelma Donlon informuan përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së rreth proceseve gjyqësore publike  në Gjykatë dhe  funksionet mbështetëse të gjyqësorit që ofron Zyra Administrative. Ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar informoi përfaqësuesit e këtij Komiteti mbi mandatin dhe punën e ZPS-së.  

“Ishte kënaqësi t’iu uronim sot mirëseardhjen në Dhomat e Specializuara të Kosovës anëtarëve të Komitetit Politik dhe të Sigurisë. I shpreh mirënjohjen Bashkimit Evropian për mbështetjen e pandërprerë ndaj institucionit tonë, i cili është tërësisht i fokusuar për zhvillimin e proceseve gjyqësore të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase ku respektohen të drejtat e të akuzuarve, ku dëshmitarët mund të dëshmojnë në mënyrë të sigurt dhe viktimat mund të marrin pjesë me dinjitet,” tha Kryetarja.

“Bashkimi Evropian mbështet pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës për garantimin e drejtësisë dhe llogaridhënies për krimet e pretenduara të kryera në juridiksionin e saj, përmes proceseve gjyqësore të sigurta dhe të paanshme, që zhvillohen në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë penale ndërkombëtare,” deklaroi, kryesuesja e Komitetit Politik dhe të Sigurisë, ambasadorja Delfinë Pronk.

Burimi: 
Dhomat e specializuara