Më 21 shkurt 2023, nis gjykimi kundër Pjetër Shalës para Dhomave të Specializuara (DHSK). Deklaratat hyrëse janë planifikuar të vijojnë edhe më 22 shkurt.

Më 21 shkurt, Kryegjykatësja do të hapë gjykimin, do të kërkojë leximin e akuzave për të akuzuarin, do ta informojë mbi të drejtat dhe detyrimet dhe do ta pyesë të akuzuarin nëse e ka kuptuar Aktakuzën dhe nëse dëshiron të konfirmojë vetëdeklarimin e tij të mëhershëm si i pafajshëm. Më pas, Prokurori i Specializuar, mbrojtësi i viktimave dhe Mbrojtja do të kenë përkatësisht nga dy orë për të dhënë deklaratat e tyre hyrëse.

Seanca do të jetë publike dhe mund të përcillet në shqip, serbisht dhe anglisht përmes faqes së internetit të DHSK-së (https://www.scp-ks.org/sq/transmetim) me 45 minuta vonesë, ose nga galeria publike në mjediset e Gjykatës. Më shumë informacion lidhur me kalendarin e seancave mund të gjeni në kalendarin e gjykatës (https://www.scp-ks.org/sq/calendar).

Për të përcjellë seancën nga galeria për publikun nevojitet regjistrim paraprak.

Për t’u regjistruar paraprakisht, dërgoni një mesazh elektronik (email) në adresën [email protected] me emrin tuaj, shtetësinë, datën e lindjes dhe numrin e pasaportës ose të letërnjoftimit dhe në rreshtin e lëndës shënoni “OpeningShalaTrial”.

Ju lutemi përfaqësuesve të medias të dërgojnë të skanuar kartelën e shtypit dhe të bëjnë me dije nëse do ta përcjellin seancën nga galeria publike apo qendra e medias.

Afati i fundit për regjistrimin paraprak për seancën e datës 21 shkurt, është të enjten, 16 shkurt, ndërsa për seancën e 22 shkurtit, afati është të premten, 17 shkurt deri në orën 16:00.

Ju lutem kini parasysh se vendi juaj konsiderohet i konfirmuar vetëm pasi të keni marrë konfirmimin me postë elektronike. Konfirmimi me postë elektronike do të dërgohet përkatësisht të enjten pasdite (16 shkurt) dhe të premten pasdite pas orës 16:00.

Gazetarët që dëshirojnë ta incizojnë seancën nga qendra e medias mund ta bëjnë këtë dhe janë gjithashtu të lutur të regjistrohen paraprakisht.

Incizimi audiovizual i deklaratave hyrëse do të  dalë sa më shpejt  që të jetë e mundur në  faqen e internetit të DHSK-së dhe YouTube Channel.

Përmbledhje e akuzave

Z. Shala akuzohet për përgjegjësi penale individuale dhe ndaj tij janë ngritur katër akuza për krime lufte:

  • Ndalim arbitrar,

  • Trajtim mizor,

  • Torturë, dhe

  • Vrasje të paligjshme

Krimet pretendohen se u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës, Shqipëri, që pretendohet se përdorej prej UÇK-së.

Historiku i çështjes

Aktakuza e parë kundër Pjetër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe Aktakuza e konfirmuar e korrigjuar u dorëzua më 1 nëntor 2021. 

Z. Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua  në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.

Më 19 prill 2021, Shala pati paraqitjen e tij të parë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake dhe u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e Aktakuzës. 

Më 21 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt nga data 18 deri më 20 tetor 2022.

Deri tani, tetë persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në proces. Procesi i parashtrimit të kërkesave për viktimat që dëshirojnë të marrin pjesë në proces mbetet i hapur. Personat që mund të provojnë se kanë pësuar dëm fizik, mendor ose material si pasojë e drejtpërdrejtë e një krimi të renditur në Aktakuzën e korrigjuar, ende mund të paraqesin kërkesë për pjesëmarrje në proces. Këtu përfshihen persona që kanë pësuar dëm drejtpërdrejtë, si dhe persona që kanë pësuar dëm tërthorazi, për shembull, për shkak se kanë lidhje të ngushtë me një viktimë të drejtpërdrejtë që pretendohet se është vrarë ose  lënduar.

Për më shumë informacion, mund të vizitoni faqen e internetit të DHSK-së https://www.scp-ks.org/sq dhe rubrikën çështje gjyqësore.

Burimi: 
Dhomat e specializuara