Thaçi dhe të tjerët: urdhërat gojorë të Trupit Gjykues lidhur me ekspedivitetin e çështjes
Pas konferencës për ecurinë e çështjes, të mbajtur më 27 maj, kur palët diskutuan njoftimin më të fundit të ZPS-së lidhur me listën e dëshmitarëve, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët lëshoi sot një numër urdhrash gojorë në gjykatë.
Ndër të tjera, Trupi Gjykues urdhëroi ZPS-në që deri më 16 shtator 2024 të dorëzojë njoftimin e mëtejshëm lidhur me listën e dëshmitarëve. Më pas do të caktohet një konferencë tjetër për ecurinë e çështjes për t’u lejuar palëve të paraqesin mendimet e tyre mbi këtë aspekt.
Gjithashtu, Trupi Gjykues urdhëroi ZPS-në që deri më 21 qershor 2024 të dorëzojë një plan të detajuar (udhërrëfyes), duke shpjeguar se si synojnë të paraqesin provat e tyre deri më 1 prill 2025. Ky plan, që do t'i ofrohet Trupit Gjykues në baza ex-parte, duhet të përfshijë informacione të tilla si listën e dëshmitarëve, renditjen e tyre dhe kohën për marrjen në pyetje të secilit dëshmitar. Trupi Gjykues beson se një udhërrëfyes i tillë do të garantojë që kjo çështje të zhvillohet në mënyrë ekspeditive.
Mbrojtja urdhërohet të japë vlerësime realiste, brenda tre ditëve pune nga marrja e informacionit, lidhur me marrjen në pyetje të grupit të ardhshëm të dëshmitarëve që do të thirren nga ZPS-ja në periudhën e ardhshme trejavore. Trupi Gjykues do t'i shqyrtojë këto vlerësime dhe, kur është e nevojshme, do të vendosë afatet kohore nëse ka mospërputhje ndërmjet vlerësimeve të Trupit Gjykues dhe atyre të Mbrojtjes.