Raporti vjetor i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) për vitin 2023, së bashku me raportin vjetor të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) tani mund të gjenden në faqen e internetit të DHSK-së në tri gjuhët zyrtare të gjykatës: shqip, serbisht dhe anglisht. Raporti ofron informacion të hollësishëm për veprimtarinë e DHSK-së dhe ZPS-së gjatë vitit 2023, si dhe për detyrat dhe punën e zyrës së pavarur të Avokatit të Popullit të DHSK-së dhe ZPS-së.
Gjatë vitit 2023 u realizuan një varg arritjesh të rëndësishme, ku përfshihen dy aktgjykime të apelit – njëri në lidhje me krime lufte dhe tjetri në lidhje me vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Gjithashtu u morën dy vendimet e para mbi uljen, modifikimin ose ndryshimin e dënimeve. Aktivitetet gjyqësore u shtuan më tej me fillimin e dy gjykimeve në 2023. Në njërin prej tyre, faza e paraqitjes së provave pothuajse përfundoi në fund të 2023. Krahas kësaj, katër persona u arrestuan në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së në Hagë.
Në nëntor të 2023, në kuadër të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim të DHSK-së, Kryetarja e DHSK-së Ekaterina Trendafilova shkoi në Kosovë për t’u takuar me përfaqësues të shoqërisë civile dhe të mediave. Ekipi i Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim i DHSK-së shkon në Kosovë pothuajse një herë në muaj për t‘u takuar me grupe të ndryshme, për t’i informuar për mandatin dhe proceset që zhvillohen në DHSK, dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Zvicra e ka mbështetur bujarisht Programin për Komunikim dhe Ndërgjegjësim të DHSK-së që nga viti 2018 dhe në 2023 vendosi të vazhdonte me mbështetjen financiare edhe për dy vite të tjera.
Në vitin 2023, DHSK-ja u bë e pranishme në platformat sociale Instagram dhe X, në tri gjuhët zyrtare të gjykatës. Përditësimet më të rëndësishme për proceset gjyqësore jepen në faqen e internetit dhe kanalet e mediave sociale të DHSK-së, dhe të gjitha seancat gjyqësore publike mund të përcillen përmes faqes së internetit në shqip, serbisht dhe anglisht.
Më shumë informacion për aktivitetet e DHSK-së dhe ZPS-së gjatë vitit 2023 do të gjeni në Raportin e Vitit 2023.