E martë 1 Tetor, 2024 17:00

Thaçi dhe të tjerët: përfundon konferenca për ecurinë e çështjes/nesër seancë e rregullt

Gjatë konferencës së sotme për ecurinë e çështjes në çështjen Thaçi dhe të tjerët, ZPS-ja njoftoi se janë edhe 65 dëshmitarë për t’u thirrur në gjykatë si dhe 54 dëshmi për t'u pranuar me shkrim, por ky numër mund të zvogëlohet në të ardhmen. Duke iu përgjigjur kërkesës së trupit gjykues, ZPS-ja deklaroi se data e synuar e 1 prillit 2025 për përfundimin e çështjes së tyre është e arritshme. Ata gjithashtu deklaruan se përditësimi i tyre i radhës mbi numrin e dëshmitarëve do të bëhet deri më 1 nëntor të këtij viti. ZPS-ja shprehu synimin e saj për të thjeshtëzuar dëshminë e të paktën 7 dëshmitarëve, duke i kthyer potencialisht disa prej tyre në deklarata me shkrim ose duke përjashtuar të tjerët fare. Gjithashtu, palët biseduan për përshpejtimin e procedurave dhe diskutuan aspektet e ardhshme, siç janë mocionet sipas Rregullës 130 dhe kohëzgjatja e paraqitjes së provave prej Mbrojtësit të Viktimave dhe prej Mbrojtjes, në qoftë se kanë. Trupi gjykues ka shpallur edhe orarin e modifikuar të seancës së planifikuar më 21 tetor, e cila do të zhvillohet nga ora 13:00 deri në 16:30.

Gjykimi Thaçi dhe të tjerët do të rinis nesër, 2 tetor, në seancë të rregullt të planifikuar në ora 09:00.