Në përputhje me masat e shëndetit publik për virusin Covid-19, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë kënaqësinë të njoftojnë se programi për vizitorë do të vijojë përmes Internetit, duke iu ofruar grupeve të studentëve të interesuar mundësinë që “të vizitojnë” DHSK-në përmes videokonferencave, për të mësuar më shumë mbi këtë gjykatë.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë marrë masa të gjithanshme për të garantuar përmbushjen pa ndërprerje të mandatit prej këtij institucioni gjatë pandemisë së virusit COVID-19. Shpjegimi i mandatit dhe i punës sonë për publikun në Kosovë dhe atë ndërkombëtar ka qenë një ndër përparësitë kyçe që prej fillimit dhe jam e lumtur që kjo veprimtari po vazhdon përmes Internetit,” tha Administratorja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Fidelma Donlon.
Që prej prillit, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vijuar me programin për komunikim e ndërgjegjësim në Internet me publikun në Kosovë, përmes mbajtjes së një tryeze të rrumbullakët me gazetarë dhe katër aktivitete me nxënësit e shkollave të mesme dhe studentë të universiteteve. Krahas këtyre aktiviteteve, Dhomat e Specializuara të Kosovës vijojnë në Internet edhe programin e rregullt për vizitorët.
Vizitat e studentëve përmes Internetit do të jenë të mundshme dy herë në javë dhe do të zgjasin afërsisht një orë. Universitetet dhe grupet e tjera të interesuara për këto vizita në gjykatë duhet t’i dërgojnë kërkesat në: [email protected].