Nga 19 deri më 22 nëntor 2018, Akademia Ndërkombëtare e Parimeve të Nurembergut në bashkëpunim me Dhomat e Specializuara të Kosovës zhvilluan një seminar mbi “gazetarinë dhe pasqyrimin e proceseve gjyqësore”. Ky seminar, në të cilin morën pjesë tetëmbëdhjetë gazetarë nga organe të ndryshme të mediave në Kosovë, ishte pjesë e një vargu veprimtarish të ndërgjegjësimit dhe komunikimit me gazetarët që ka ndërmarrë DHSK.
Në fjalën e saj të mirëseardhjes, Administratorja e DHSK-së, Dr. Fidelma Donlon, falënderoi drejtorin e Akademisë Ndërkombëtare të Parimeve të Nurembergut dhe ekipin e tij që ishin nikoqirë të këtij aktiviteti. Ajo theksoi rëndësinë që ka pasqyrimi i drejtë dhe i paanshëm i proceseve gjyqësore në media dhe tha se komunikimi i hapur me gazetarët është një nga shtyllat qendrore të strategjisë së komunikimit të DHSK-së. “Për DHSK-në,” u shpreh Administratorja, “marrëdhëniet me mediat, veçanërisht marrëdhëniet me mediat në Kosovë, kanë rëndësi thelbësore për arritjen e synimit tonë për ta përçuar punën e DHSK-së në mënyrë sa më transparente.”
Gjatë seminarit pjesëmarrësit patën mundësi t’i diskutonin shqetësimet dhe pyetjet që kishin me kolegë gazetarë me përvojë shumëvjeçare në raportimin e gjykimeve, me specialistë të fushës së të drejtës penale ndërkombëtare, si dhe me punonjës të nivelit të lartë të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Për t’i njohur gazetarët me historikun e tribunalëve ndërkombëtarë, Akademia e Nurembergut organizoi vizita në Muzeun e Gjyqit të Nurembergut dhe në Qendrën e Dokumentimit. Në seminar iu dha një vend i rëndësishëm edhe kërkimit të mendimeve të gazetarëve nga Kosova për komunikimin e DHSK-së me mediat si dhe sugjerimeve të tyre konkrete për përmirësimin e mëtejshëm të punës.