Paneli i Gjykatës së Apelit ka caktuar datën për shqiptimin e aktgjykimit të apelit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, më 2 shkurt 2023, në orën 14:00.
Seanca do të jetë publike dhe mund të përcillet në gjuhët shqipe, serbishte dhe anglishte përmes faqes së internetit të DHSK-së (https://www.scp-ks.org/sq/transmetim) me 10 minuta vonesë, ose nga galeria publike në mjediset e gjykatës. Më shumë informacion lidhur me mbajtjen e seancës mund të gjeni në kalendarin e gjykatës (https://www.scp-ks.org/sq/calendar).
Për ta përcjellë seancën nga galeria për publikun duhet të bëhet regjistrim paraprak.
Gjithashtu, janë të lutur të regjistrohen paraprakisht edhe gazetarët që dëshirojnë të incizojnë seancën nga qendra për median.
Për t’u regjistruar paraprakisht, ju lutemi dërgoni një mesazh elektronik (email) në adresën [email protected] me emrin tuaj, shtetësinë, datën e lindjes dhe numrin e pasaportës ose të letërnjoftimit dhe në rreshtin e lëndës shënoni “Aktgjykimi i Apelit”.
Përfaqësuesit e mediave janë të lutur të dërgojnë të skanuar kartelën e shtypit dhe të bëjnë të ditur nëse dëshirojnë ta përcjellin seancën nga galeria publike, apo qendra e medias. Afati i fundit për regjistrimin paraprak është të martën, 31 janar, në orën 16:00. Ju lutemi kini parasysh se vendi juaj konsiderohet i konfirmuar vetëm pasi të keni marrë konfirmimin me postë elektronike. Konfirmimi me postë elektronike do të dërgohet të martën pasdite (31 janar), pas orës 16:00.
Incizimi audiovizual i shpalljes së aktgjykimit të apelit do të jetë i disponueshëm më vonë gjatë asaj dite, 2 shkurt, në faqen e internetit dhe në kanalin YouTube të DHSK-së.
Pas seancës, në orën 16:30, zëdhënësit e DHSK-së do të mbajnë një informim për shtyp ku gazetarët mund të bëjnë pyetje. Gazetarët mund ta përcjellin atë në sallën e konferencave për shtyp të DHSK-së ose përmes aplikacionit Zoom. Gazetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në informimin për shtyp përmes internetit duhet të dërgojnë një mesazh në adresën [email protected] dhe ne do t’u dërgojmë lidhjen. Gazetarët që dëshirojnë të jenë të pranishëm në sallën e konferencave për shtyp janë të lutur të njoftojnë me shkrim ekipin e medias në të njëjtën adresë të postës elektronike.
Përmbledhje e akuzave
Në aktakuzë parashtrohet se midis së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020, gjatë tri konferencave për shtyp dhe transmetimeve të tjera televizive, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj zbuluan, pa autorizim, informacione të mbrojtura sipas Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), përfshirë të dhënat identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm). Gucati dhe Haradinaj bënë gjithashtu komente nënçmuese dhe akuzime kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe shprehën në mënyrë të përsëritur synimin e tyre për të dëmtuar DHSK-në.
Akuzat janë si më poshtë:
DY AKUZA PËR VEPRA PENALE KUNDËR RENDIT PUBLIK
-
Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare (Pika 1 dhe Pika 2)
KATËR AKUZA PËR VEPRA PENALE KUNDËR ADMINISTRIMIT TË DREJTËSISË DHE ADMINISTRATËS PUBLIKE
-
Frikësim gjatë procedurës penale (Pika 3)
-
Hakmarrje (Pika 4)
-
Shkelje e fshehtësisë së procedurës (Pika 5 dhe Pika 6)
Historiku i çështjes
Më 25 dhe 26 shtator 2020, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Më 11 dhjetor 2020, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Nikola Giju, konfirmoi aktakuzën kundër dy të akuzuarve.
Më 16 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues II. Gjykimi filloi më 7 tetor 2021. Më 10 nëntor 2021, ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave të saj. Të dy ekipet e Mbrojtjes përfunduan paraqitjen e provave të tyre më 2 shkurt 2022.
Aktgjykimi u shpall më 18 maj 2022. Trupi Gjykues i shpalli fajtorë të dy të akuzuarit për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim gjatë procedurës penale dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës. Të dy të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për akuzën e hakmarrjes. Trupi Gjykues e dënoi secilin të akuzuar me katër vjet e gjysmë burgim, duke u llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, si edhe me gjobë prej 100 Euro secili.
Si z. Gucati ashtu dhe z. Haradinaj dorëzuan njoftime për apel më 17 qershor 2022. Në përputhje me procedurën, Kryetarja e DHSK-së caktoi Panelin e Gjykatës së Apelit, të përbërë nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen. Më 5 korrik 2022 u mbajt konferenca para apelit, pas së cilës Mbrojtja dorëzoi dosjet e apelit. Seancat e apelit u mbajtën më 1 dhe 2 dhjetor 2022.