Trupi Gjykues I i Dhomave të Specializuara të Kosovës, ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Pjetër Shalës, më 16 korrik, në orën 14:00.
Seanca do të jetë publike dhe mund të përcillet në shqip, anglisht dhe serbisht përmes faqes së internetit të DHSK-së me 10 minuta vonesë ose nga galeria publike në mjediset e gjykatës.
Më shumë informacion lidhur me kalendarin e seancave mund të gjeni në kalendarin e gjykatës.
Për të ndjekur seancën nga galeria për publikun nevojitet regjistrim paraprak.
Janë të lutur të regjistrohen paraprakisht edhe gazetarët që dëshirojnë të incizojnë seancën nga qendra për median.
Për t’u regjistruar paraprakisht, dërgoni një mesazh elektronik (email) në adresën [email protected] me emrin tuaj, shtetësinë, datën e lindjes dhe numrin e pasaportës ose të letërnjoftimit dhe në rreshtin e lëndës shënoni “Aktgjykimi”.
U lutemi përfaqësuesve të medias të dërgojnë të skanuar kartelën e shtypit dhe të bëjnë me dije nëse do ta përcjellin seancën nga galeria publike apo qendra e medias. Afati i fundit për regjistrimin paraprak është të premten, 12 korrik, në orën 18:00. Ju lutem kini parasysh se vendi juaj konsiderohet i konfirmuar vetëm pasi të keni marrë konfirmimin me postë elektronike. Konfirmimi me postë elektronike do të dërgohet të hënën paradite (15 korrik).
Incizimi audiovizual i shpalljes së Aktgjykimit do të jetë i disponueshëm më vonë gjatë ditës më 16 korrik, në faqen e internetit të DHSK-së dhe YouTube Channel.
Gazetarët që kanë pyetje mund të kontaktojnë Zyrën e Shtypit në adresën [email protected]. Gjithashtu, çdo të enjte në orën 14:30, zëdhënësit e DHSK-së mbajnë informime të rregullta javore për shtypin përmes internetit, ku gazetarët mund të bëjnë pyetje. Gazetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në informimin për shtyp përmes internetit duhet të dërgojnë një mesazh në adresën [email protected] dhe ne do t’ju dërgojmë lidhjen.
Përmbledhje e aktakuzës
Në këtë çështje gjyqësore, Prokurori pretendon se përafërsisht mes 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, Pjetёr Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin mizor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të një të ndaluari në fabrikën e metalit në Kukës, në veri të Shqipërisë.
Sipas Aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin persona për të cilët dyshohej se bashkëpunonin me Serbinë ose nuk përkrahnin UÇK-në, dhe të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime. Në procesin gjyqësor morën pjesë tetë viktima të përfaqësuar nga një avokat.
Në Aktakuzë thuhet se të ndaluarit në fabrikën e metalit u keqtrajtuan rregullisht, qoftë fizikisht, ndër të tjera përmes rrahjes me mjete të ndryshme, ashtu edhe psikologjikisht, përmes kërcënimit me vdekje, poshtërimit, ngacmimit, marrjes në pyetje ose dhënies së deklaratave dhe pranimit të detyruar nën shtrëngim.
Në Aktakuzë pretendohet se Pjetër Shala kontribuoi në mënyrë të konsiderueshme në krimet e pretenduara, përmes pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë dhe mosmarrjes së masave adekuate për të mundësuar trajtimin njerëzor të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, dhe duke ndihmuar dhe inkurajuar kryerjen e krimeve për të cilat u ngritën akuzat.
Historiku i çështjes
Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi Aktakuzën fillestare kundër Pjetër Shalës më 12 qershor 2020.
Z. Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.
Gjatë fazës paraprake, u nxorën prova, u dhanë vendime lidhur me mocionet paraprake dhe u pranuan tetë viktima për të marrë pjesë në proces, të përfaqësuar nga Mbrojtësi i Viktimave.
Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar, Mbrojtësit të Viktimave dhe të Mbrojtjes. Më 6 korrik 2023 ZPS-ja mbylli paraqitjen e provave të veta.
Më 21 gusht 2023, paraqiti prova Mbrojtësi i Viktimave.
Paraqitja e provave prej Mbrojtjes nisi më 20 shtator 2023. Më 15 janar 2024, Mbrojtja e Pjetër Shalës njoftoi për mbylljen zyrtare të paraqitjes së provave të veta.
Procedura e paraqitjes së provave në këtë çështje u mbyll më 9 shkurt 2024 dhe argumentet përmbyllëse u mbajtën nga data 15 deri më 17 prill 2024. ZPS-ja thirri 10 dëshmitarë për të dhënë dëshmi, ndërsa Mbrojtësi i Viktimave thirri dy dëshmitarë, dhe Mbrojtja 10 dëshmitarë.
Më shumë informacion për çështjen gjendet në faqen e internetit në rubrikën çështjet gjyqësore, nën titullin Pjetër Shala.