Trupi Gjykues II i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) ka caktuar shpalljen e aktgjykimit në çështjen Prokurori i Specializuar kundër Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt, më 18 maj në orën 10:00. Seanca do të jetë publike dhe mund të ndiqet në shqip, serbisht ose anglisht përmes transmetimit në faqen e internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (https:// https://www.scp-ks.org/sq/transmetim) me 10 minuta vonesë ose nga galeria publike. Më shumë informacion lidhur me orarin e seancës mund të gjendet në kalendarin e gjykatës (https://www.scp-ks.org/sq/calendar).

Për të marrë pjesë në seancë nga galeria publike, këshillohet të bëhet regjistrim paraprak. Gjithashtu, gazetarët që dëshirojnë të incizojnë seancën nga qendra e medias duhet të regjistrohen paraprakisht.

Për t’u regjistruar paraprakisht, ju lutemi të dërgoni një email në adresën [email protected] ku të shënoni emrin, shtetësinë, datën e lindjes dhe numrin e pasaportës ose letërnjoftimit dhe në rreshtin e lëndës shënoni “Aktgjykimi”.  Ju lutemi përfaqësuesve të medias të dërgojnë të skanuar kartelën e shtypit dhe të bëjnë me dije nëse do ta përcjellin seancën nga galeria publike apo qendra e medias. Afati i fundit për regjistrimin paraprak është të premten, më 13 maj në orën 16:00. Ju lutem kini parasysh se vendi juaj konsiderohet i konfirmuar vetëm pasi të keni marrë emailin e konfirmimit. Emailet e konfirmimit do të dërgohen të premten pasdite (13 maj) pas orës 16:00.

Vizitat pa regjistrim paraprak do të jenë të mundshme vetëm nëse ka vend të mjaftueshëm në galerinë publike/qendrën e medias.

Në kuadër të kufizimeve prej KOVID-19 në mjediset e DHSK-së, të gjithë vizitorët duhet të mbajnë maskë mbrojtëse gjatë kohës që janë në ndërtesë.

Dhomat e Specializuara të Kosovës do ta incizojnë seancën dhe një kopje audiovizuale e shpalljes së aktgjykimit do të jetë e disponueshme më vonë gjatë asaj dite.

Përmbledhje e aktakuzës

Në aktakuzë parashtrohet se  midis më së paku 7 dhe 25 shtatorit 2020,  në tri konferenca për shtyp dhe transmetime të tjera televizive, si dhe përmes shpërndarjes së mëtejshme, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj zbuluan, pa autorizim, informacion të mbrojtur nga Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, përfshirë  të dhëna personale të disa dëshmitarëve (të mundshëm). Gjithashtu, të akuzuarit bënë komente nënçmuese dhe akuzime kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehën synimin e tyre për të dëmtuar Dhomat e Specializuara.

Akuzat përfshijnë dy pika për kryerjen e veprave penale  kundër rendit publik, konkretisht pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare (Pika 1 dhe 2) dhe katër pika të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë dhe administrimit publik.  Këto janë frikësimi gjatë procedurës penale (Pika 3), hakmarrja (Pika 4) dhe shkelja e fshehtësisë së procedurës (Pikat 5 dhe 6).

Historiku i çështjes

Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u arrestuan më 25 shtator 2020 në Prishtinë, Kosovë, dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, përkatësisht më 25 dhe 26 shtator 2020.

Paraqitjet e para të z. Haradinaj dhe z. Gucati si të dyshuar u mbajtën para Gjykatësit të Vetëm, Nikola Giju, përkatësisht më 29 shtator dhe 1 tetor 2020.

Më 11 dhjetor 2020, Gjykatës Nikola Giju, në cilësinë e tij si Gjykatës i Procedurës Paraprake, konfirmoi aktakuzën kundër dy të akuzuarve. Aktakuza e korrigjuar u dorëzua më 5 korrik 2021 dhe një version më pak i redaktuar u dorëzua më 4 tetor 2021.

Paraqitjet e para të dy të akuzuarve para Gjykatësit të Procedurës Paraprake u mbajtën më 18 dhjetor 2020. Hysni Gucati u vetëdeklarua i pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat, ndërsa Nasim Haradinaj nuk  bëri vetëdeklarim brenda 30 ditësh nga paraqitja vijuese e tij që u mbajt më 8 janar 2021. Për këtë arsye, në bazë të rregullës 92(2)(f) të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, bëri vetëdeklarimin e pafajësisë në emër të tij.

Më 16 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes gjyqësore Trupit Gjykues II.

Gjykimi filloi më 7 tetor 2021. Më 10 nëntor 2021, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) mbylli paraqitjen e provave të veta.

Mbrojtja e Gucatit filloi paraqitjen e provave të veta më 3 dhjetor 2021, e ndjekur nga Mbrojtja e Haradinajt më 15 dhjetor 2021. Të dy ekipet e Mbrojtjes mbyllën paraqitjen e provave të tyre më 2 shkurt 2022.

Procedura e paraqitjes së provave në këtë çështje u mbyll më 3 shkurt 2022.

Gjatë 31 ditëve që zgjati gjykimi, ZPS-ja thirri katër dëshmitarë ndërsa të dy ekipet e Mbrojtjes u mbështetën në dëshmitë gojore të 10 dëshmitarëve dhe 18 deklaratave me shkrim të dëshmitarëve. 

Deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga data 14 deri më 17 mars 2022.

Për më shumë informacion, ju lutem vizitoni faqen e internetit të Dhomave të Specializuara të Kosovës www.scp-ks.org

Burimi: 
Dhomat e specializuara