Në gjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, për këtë javë dhe javën tjetër janë planifikuar seancat gjyqësore ku do të dëshmojnë blloku i fundit i dëshmitarëve të Mbrojtjes në këtë çështje gjyqësore. 

Ish-ambasadori amerikan Kristofer Hill (Christopher Hill) filloi dëshminë të hënën, më 10 nëntor, kurse nga fundi i javës pritet të dëshmojë edhe një dëshmitar tjetër. 

Ish-komandanti i NATO-s Uesli Klark (Wesley Clark) është planifikuar të fillojë dëshminë të martën e javës që vjen, më 18 nëntor. Për dëshminë e tij janë planifikuar seanca edhe më19 dhe 20 nëntor, ndërsa 21 nëntori është planifikuar si ditë rezervë, në rast nevoje. 

Të gjitha seancat e javës që vjen aktualisht janë planifikuar të fillojnë në orën 09:00 dhe pritet të jenë kryesisht publike. 

Seancat mund të ndiqen në të tri gjuhët e Gjykatës - shqipe, serbishte dhe anglishte - përmes faqes së internetit të DHSK-së, me 45 minuta vonesë.

Për shkak të interesimit të madh për seancat midis 18 dhe 21 nëntorit, për t’i ndjekur ato nga galeria për publikun në ndërtesën e Gjykatës në Hagë, nevojitet regjistrim paraprak. Për t’u regjistruar paraprakisht, dërgoni një mesazh elektronik (email) në adresën [email protected]. Në qoftë se keni dërguar email më herët, nuk keni nevojë të dërgoni përsëri.

Ju lutemi kini parasysh se vendi juaj konsiderohet i konfirmuar vetëm pasi të keni marrë konfirmimin me email. Konfirmimi me email do të dërgohet në fund të orarit të punës më 14 nëntor 2025. Përfaqësuesit e mediave të interesuara janë të lutur të bëjnë të ditur nëse do t’u duhet edhe  vend në qendrën e medias. 

Personat që do të ndjekin seancën nga galeria për publikun janë të lutur t’u përmbahen rregullave të sjelljes në mjediset e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Historiku i çështjes gjyqësore

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i Aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023. Kjo është dhe Aktakuza në fuqi në këtë çështje gjyqësore. 

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave. Gjithashtu kundër secilit prej të akuzuarve janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Në Aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut. Pretendohet se krimet u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime. Në Aktakuzë pretendohet se z. Thaçi, z. Veseli, z. Selimi dhe z. Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale individuale, në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, të cilat ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.

Të akuzuarit janë vetëdeklaruar të pafajshëm në lidhje me të gjitha akuzat.

Datat dhe oraret e të gjitha seancave publike të planifikuara mund t’i gjeni në kalendarin e gjykatës në faqen e internetit të DHSK-së. Gjithashtu, incizimet e seancave publike janë të disponueshme në kanalin e DHSK-së në YouTube.

Burimi
Dhomat e specializuara