Pasi konfirmoi se i kupton kushtet dhe pasojat e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, siç përcaktohet në rregullën 94 të Rregullores, Ismet Bahtijarit iu kërkua të deklarohet lidhur me pikat 2 dhe 3 të aktakuzës. Sot, ai u deklarua fajtor për të dyja akuzat, ndërsa seanca, e cila ka përfunduar, vazhdoi me trajtimin e pikave tjera të rendit të ditës.
Trupi Gjykues njoftoi se do të jetë në gjendje të vendosë në lidhje me të gjitha marrëveshjet për pranimin e fajësisë, përfshirë dënimin, vetëm pasi të marrë raportin nga Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave, që pritet të bëhet deri më 20 janar 2025 (siq kemi informuar dje) si dhe parashtrimet e palëve mbi raportin, që pritet të bëhet deri më 27 janar. Trupi Gjykues sqaroi se çdo zhdëmtim i mundshëm duhet të trajtohet si pjesë e marrëveshjeve për pranimin e fajësisë, në përputhje me rregullën 94 (2) (c) të Rregullores. Udhëzime të mëtejshme do të jepen nga Trupi Gjykues pas pushimit dimëror.