E mërkurë 9 Mars, 2022 17:00

Çështja Mustafa: më 21 mars, një viktimë do të flasë para Trupit Gjykues; paraqitja e provave nga Mbrojtja fillon më 22 mars

Në fund të seancës së sotme në çështjen Mustafa, Trupi Gjykues shqiptoi disa urdhra gojorë, me të cilët ndër të tjera caktoi ditën e martë, 22 mars, si datën kur Mbrojtja do të bëjë deklaratën hyrëse, pas së cilës, më 23 mars, do të fillojë dhënia e dëshmisë nga dëshmitari i parë i Mbrojtjes. Trupi Gjykues i caktoi Mbrojtjes gjithsej 36 orë për marrjen në pyetje të 17 dëshmitarëve të Mbrojtjes të autorizuar për të dhënë dëshmi.

Pas kërkesës përkatëse të paraqitur nga mbrojtësja e viktimave, viktima 05 do të lejohet të shprehë mendimet dhe shqetësimet e veta para Trupit Gjykues ditën e hënë, më 21 mars, për një orë. Gjithashtu, mbrojtëses së viktimave do t’i lejohet që të bëjë parashtrime për një orë, përpara dhe/ose pasi viktima 05 të ketë shprehur shqetësimet e veta.

Në lidhje me një kërkesë tjetër të mbrojtëses së viktimave, Trupi Gjykues ngarkoi Institutin e Mjekësisë Ligjore të Holandës që të bëjë vlerësimin e gjendjes shëndetësore dhe të dëmeve ose lëndimeve të pësuara nga tre viktima, si dhe të përgatisë një raport të cilin duhet ta dorëzojë deri më 13 maj 2022. Trupi Gjykues specifikoi se ky vendim nuk kushtëzon vendimin përfundimtar që do të marrë Trupi Gjykues në lidhje me fajësinë ose pafajësinë e të akuzuarit, e as ndonjë urdhër zhdëmtimi që mund të rrjedhë prej tij.