Dy vendime të Gjykatës Supreme në çështjen Salih Mustafa
Më 25 janar, Paneli i Gjykatës Supreme nxori dy vendime lidhur me kërkesën e mundshme për mbrojtjen e ligjshmërisë në çështjen Salih Mustafa.
Në vendimin e parë, Paneli përcaktoi se znj. Venkateswari Alagendra nuk e kishte njoftuar Trupin Gjykues II (në të cilin njëri prej të akuzuarve është Jakup Krasniqi dhe të cilin ajo gjithashtu e përfaqëson) lidhur me synimin e saj që të përfaqësojë Mustafën, siç kërkohet me nenin 28(4)(1)(b) të Kodit të Etikës Profesionale, në mënyrë që të pranonte vendimin e Trupit Gjykues nëse ekziston ndonjë konflikt interesi. Rrjedhimisht, Paneli deklaroi se emërimi i Alagendra si avokate e re e Mustafës nuk ka efekt juridik dhe urdhëroi Administratoren që të caktojë mbrojtësin kujdestar për të përfaqësuar Mustafën derisa të zgjidhet çështja.
Në vendimin e dytë, Paneli hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes së Mustafës lidhur me zgjatjen e afatit për të dorëzuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë pasi Venkateswari Alagendra për momentin nuk ka legjimitet për të dorëzuar ndonjë kërkesë në emër të Mustafës, përfshirë kërkesën për zgjatjen e afatit. Paneli gjithashtu vuri në dukje se, edhe nëse Alagendra do ta gëzonte këtë legjimitet, afatet kohore të parashikuara në Ligj (kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë duhet të dorëzohen brenda tre muajve nga aktgjykimi i formës së prerë) nuk mund të ndryshohen me Rregulloren e Punës dhe të Provave.