Gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve: Urdhër i Trupit Gjykues mbi Procedurat Publike
Gjatë seancës së sotshme (17 maj), Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët shprehu shqetësimin se gati të gjitha dëshmitë deri më tani janë dëgjuar në seanca private apo të mbyllura dhe ua kujtoi palëve, midis të tjerash, se, në përputhje me nenin (21)(2) të Ligjit, të akuzuarit gëzojnë të drejtën për gjykim të drejtë dhe publik dhe gjithashtu se është në interesin e publikut që ky proces të zhvillohet, për aq sa është e mundshme, në mënyrë publike. Trupi Gjykues gjithashtu kujtoi se në urdhrin mbi zhvillimin e procedurave thuhet se palët dhe pjesëmarrësit duhet të respektojnë karakterin publik të procesit gjyqësor. Më vonë, Trupi Gjykues lëshoi urdhër gojor duke kërkuar parashtrime nga palët, deri më 31 maj, në lidhje me hapat konkretë që mund të merren nga palët dhe trupi gjykues për të siguruar që këto procedura të jenë publike në shkallë më të lartë. Ndërkohë, Trupi Gjykues i urdhëroi palët që të kenë parasysh parimin që procedurat të jenë publike, kur të kërkojnë që pjesë të dëshmive të dëshmitarëve të dëgjohen në seanca private ose të mbyllura.