Më 6 mars 2025, Paneli i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti, lëshoi vendim mbi një kërkesë referuese të Haxhi Shalës, në të cilën ai ngriti pretendime për shkelje të të drejtave të tij themelore. Konkretisht, Shala argumentoi se Gjykatësi i Procedurës Paraprake nuk kishte shqyrtuar ligjshmërinë dhe themelësinë e paraburgimit të tij gjatë paraqitjes së tij të parë më 13 dhjetor 2023. Ai argumentoi se kjo ishte në shkelje të të drejtës së tij për liri dhe siguri sipas nenit 5(3) të Konventës Evropiane për të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut.
Paneli e konstatoi kërkesën referuese të pranueshme, por, sa i takon themelësisë së saj, arriti në përfundimin se paraqitja e parë e Shalës ishte kryer në pajtim me nenin e sipërpërmendur. Paneli theksoi se Shala u informua mjaftueshëm për arsyetimin e Gjykatësit të Procedurës Paraprake lidhur me paraburgimin dhe iu dha mundësia të shprehte mendimin e tij, si edhe, ndonëse Gjykatësi i Procedurës Paraprake mund të ishte shprehur më qartë, vendimi i tij nuk sugjeron se ai i anashkaloi aspektet e ligjshmërisë dhe të themelësisë të paraburgimit të Shalës. Për më shumë hollësi, mund të shihni vendimin e plotë të Panelit.
Ju bëjmë me dije se kjo çështje është trajtuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe nga Gjykata Supreme, sikurse ju kemi informuar edhe më herët.