Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të Mbrojtjes, Safet Gashi, gjykimi në çështjen P. Shala përfundoi për ditën e sotme dhe për këtë javë. Seancat e planifikuara për nesër dhe pasnesër (11 dhe 12 janar) janë anuluar. Seancat e ardhshme janë planifikuar më 19 dhe 22 janar, por Trupi Gjykues do të konfirmojë në kohën e duhur nëse ato do të mbahen apo jo.
Gjatë seancës së sotme Trupi Gjykues lëshoi disa urdhra gojorë, përfshirë atë lidhur me kërkesën e Mbrojtjes për të shtuar një dëshmitare eksperte (psikologe) dhe raportin e saj të ekspertizës në listën e dëshmitarëve dhe listën e provave materiale të Mbrojtjes, si dhe për ta thirrur dëshmitaren për të dëshmuar personalisht më 19 janar. Trupi Gjykues e miratoi pjesërisht kërkesën dhe urdhëroi që dëshmitarja dhe raporti (të cilin Trupi Gjykues e konsideroi relevant për përcaktimin e dënimit) t'i shtohen listës së dëshmitarëve dhe listës së provave materiale të Mbrojtjes. Megjithatë, Trupi Gjykues refuzoi pjesën e kërkesës së Mbrojtjes për dëshminë e kësaj dëshmitareje në gjykatë.