DHSK-ja ka pranuar disa pyetje nga gazetarë dhe nga publiku pas vdekjes së babait të Hashim Thaçit lidhur me atë se a do t'i lejohet zotit Thaçi të vizitojë Kosovën, siç iu lejua javën e kaluar kur e vizitoi babain e tij në spital, si dhe në dy raste të mëparshme.

Të vetëdijshëm për rëndësinë e të qenit me familjen në situata si kjo, korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave në paraburgim që të bëjnë kërkesa tek gjykatësit kompetent kur ka arsye bindëse humanitare. Gjykatësit e miratuan këtë rregull bazuar në ligjin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, duke përfshirë nenin 5 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Rregullat Minimale Standarde të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve.

Deri më tani, gjykatësit e Dhomave të Specializuara kanë urdhëruar trembëdhjetë vizita të tilla në Kosovë për të paraburgosurit, të cilat janë menaxhuar nga gjykata, për shembull që një i paraburgosur të vizitojë një të afërm të sëmurë ose të bëjnë nderime dhe të kalojnë kohë me anëtarët e ngushtë të familjes pas vdekjes së një të afërmi.

Kur një i paraburgosur bën një kërkesë të kësaj natyre, gjykatësi i cili merret me çështjen vlerëson të gjitha rrethanat në kohën kur është bërë kërkesa, me urgjencën dhe dhembshurinë që kërkojnë situata si kjo. Ata vendosin bazuar në kornizën ligjore të DHSK-së dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Për momentin, gjykata nuk është në gjendje të japë informacion për ndonjë kërkesë apo vendim konkret në lidhje me z. Thaçi. Kjo për shkak se kërkesat e një të paraburgosuri dhe vendimet për ato kërkesa fillimisht janë gjithmonë konfidenciale për arsye që përfshijnë privatësinë dhe sigurinë operacionale. Pas përfundimit të një vizite humanitare, gjykatësit zakonisht i riklasifikojnë këto dokumente në mënyrë që publiku të mund të informohet më detajisht. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndërsa vizita të tilla, kur urdhërohen nga gjykatësit, organizohen sa më shpejt që të jetë e mundur, kjo mund të marrë ca kohë, duke kërkuar koordinim të ngushtë me një numër aktorësh dhe marrëveshje komplekse logjistike, duke përfshirë fluturimet dhe sigurinë.

Burimi
Dhomat e specializuara