Raporti vjetor i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) së bashku me raportin vjetor të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) është i disponueshëm në tri gjuhët zyrtare të Gjykatës: shqipe, serbishte dhe anglishte. Raporti përmban zhvillimet në veprimtarinë e DHSK-së dhe ZPS-së përgjatë vitit 2021. Gjithashtu, raporti përmban informacione lidhur me funksionet dhe veprimtarinë e Avokatit të Popullit të pavarur të DHSK-së.
DHSK-ja shënoi disa arritje të rëndësishme gjatë vitit 2021 me fillimin e dy gjykimeve dhe me dy çështjet e tjera që po përparojnë në fazën e procedurës paraprake. Në muajt mars dhe prill, u arrestua i akuzuari i tetë dhe u transferua në objektin e paraburgimit në Hagë.
Gjatë vitit 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, gjykatësit e Trupit Gjykues I dhe Trupit Gjykues II si dhe gjykatësit e panelit të Apelit, të ngarkuar me apelet e ndërmjetme, nxorën rreth 800 vendime dhe urdhra dhe të gjitha vendimet publike gjenden në faqen e internetit të DHSK-së.
Në vitin 2021, njëzet dëshmitarë dëshmuan në mënyrë të sigurt përpara gjykatës dhe 30 viktima u pranuan të marrin pjesë në proces në tri prej çështjeve. Po në të njëjtin vit, u mbajtën 67 seanca publike dhe u transmetuan në internet me përkthim simultan në tri gjuhët zyrtare të Gjykatës si dhe pati më shumë se 70.000 shikime të faqeve të transmetuara. Gjatë vitit 2021 u përkthyen 895 dokumente që përfshijnë më shumë se 12.200 faqe.
Gjatë fjalës për ecurinë e proceseve gjyqësore, Kryetare Ekaterina Trendafilova u shpreh se “Dhomat e Specializuara vazhdojnë të jenë të përkushtuara për kryerjen e punës në përputhje me standardet më të larta të drejtësisë penale ndërkombëtare, duke garantuar procese penale të sigurta, të pavarura, të paanshme, të drejta dhe efikase përpara Dhomave të Specializuara.”
Administratore Fidelma Donlon tha se “me fillimin e gjykimeve dhe proceseve gjyqësore çelëm një fazë të re, Zyra Administrative arriti të ofronte mbështetje gjyqësore për kryerjen e proceseve të shpejta dhe të sigurta në vitin 2021, duke iu përshtatur vështirësive që shkaktoi pandemia e KOVID-19.”
Në shtator 2021, Kryetarja Trendafilova dhe Administratorja Donlon udhëtuan drejt Kosovës për t’u takuar me përfaqësues të shoqërisë civile, gazetarë dhe publikun e gjerë për të bashkëbiseduar rreth veprimtarisë së gjykatës si dhe për të informuar njerëzit në Kosovë rreth proceseve gjyqësore aktuale dhe funksionet mbështetëse të gjyqësorit të Zyrës Administrative. Që prej krijimit të saj, DHSK-ja ka bërë përpjekje të konsiderueshme në programin për komunikim dhe ndërgjegjësim, me mbi 100 aktivitete të mbajtura anembanë Kosovës që prej vitit 2018. Në vitin 2021, DHSK-ja përgatiti dhe transmetoi katër videoklipe televizive që u përgjigjen pyetjeve të bëra më shpesh në aktivitetet për komunikim dhe ndërgjegjësim.
Më shumë informacion rreth këtyre dhe zhvillimeve të tjera mund të gjeni në raportin e vitit 2021.