Sot, ekipi i programit për komunikim dhe ndërgjegjësim i Dhomave të Specializuara të Kosovës në bashkëpunim me Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë zhvilluan një tryezë të rrumbullakët në Internet, me pjesëmarrjen e gazetarëve nga Kosova. Synimi i këtij takimi ishte t’u jepte gazetarëve informacion për rregullat që lidhen me shqyrtimin e aktakuzave dhe me fazën e procedurës paraprake të procesit, me qëllim që të mbështetet një raportim i saktë i veprimtarive të gjykatës. Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka caktuar një gjykatës të procedurës paraprake për të shqyrtuar aktakuzat e parashtruara nga Prokuroi i Specializuar. Me gjithë pandeminë e shkaktuar nga virusi Covid-19, Dhomat e Specializuara të Kosovës vazhdojnë të jenë plotësisht funksionale, ndërkohë që kanë marrë masa kundër përhapjes së virusit në pajtim me rekomandimet dhe vendimet e autoriteteve përkatëse të shëndetit publik.
Në bazë të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, aktakuzat që i parashtrohen Dhomave të Specializuara të Kosovës janë rreptësisht konfidenciale, përveç nëse konfirmohen dhe deri sa të konfirmohen nga gjykatësi i procedurës paraprake. Gjykatësi ka afat deri në gjashtë muaj për ta konfirmuar ose për ta hedhur poshtë aktakuzën. Pas konfirmimit, aktakuza bëhet publike. Sipas Ligjit, i akuzuari paraqitet para gjykatësit të procedurës paraprake brenda shtatë ditësh pasi ka marrë aktakuzën, ose brenda 48 orësh prej arrestimit të tij. Në këtë paraqitje të parë, gjykatësi i procedurës paraprake siguron që i akuzuari i kupton akuzat e ngritura kundër tij, si edhe që po respektohen të drejtat e tij, ndër të cilat edhe e drejta për përfaqësim juridik. Gjatë fazës së procedurës paraprake gjykatësi mund të marrë edhe vendime në lidhje me pjesëmarrjen e viktimave, mbrojtjen e dëshmitarëve, dhe çështje të tjera që lidhen me procedurën.
Gjatë takimit të sotëm përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara të Kosovës i informuan pjesëmarrësit mbi etapat e ndryshme të fazës së procedurës paraprake dhe i nxitën ata të bëjnë pyetje dhe diskutime. Ky takim ishte pjesë e programit për komunikim dhe ndërgjegjësim të Dhomave të Specializuara të Kosovës, i cili synon informimin e njerëzve në Kosovë për mandatin dhe procedurat në Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe nxitjen e dialogut. Si rregull, ekipi i programit për komunikim dhe ndërgjegjësim bën vizita të përmuajshme në Kosovë, por gjatë krizës së Covid-19 takimet zhvillohen në Internet për të mundësuar rrjedhën e pandërprerë të informacionit.