Të drejtat e të dyshuarve dhe të akuzuarve
Një mbrojtje e fortë është thelbësore për garantimin e një gjykimi të drejtë. Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës garanton mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të dyshuarve dhe të akuzuarve. Në këto të drejta përfshihen, ndër të tjera, e drejta për t’u mbrojtur përmes një mbrojtësi të specializuar të zgjedhur vetë, dhe e drejta që dikujt t’i caktohet një avokat nëse nuk ka mjete të mjaftueshme financiare për të paguar mbrojtësin (“ndihma juridike”).
Përfaqësimi nga mbrojtësi
Përfaqësimi i të dyshuarve ose të akuzuarve është i detyrueshëm në këto rrethana: në seancat lidhur me paraburgimin; kur i dyshuari ose i akuzuari mbahet në paraburgim; pas ngritjes së aktakuzës, në qoftë se akuzat në ngarkim lidhen me vepra penale të dënueshme me së paku dhjetë vjet burgim; dhe në çdo rast kur i akuzuari kërkon të hyjë në marrëveshje për pranimin e fajësisë, për një vepër penale të dënueshme me një ose më shumë vjet burgim. Faqet e dedikuara Mbrojtësve ndodhen këtu.
Mbrojtësi për të dyshuarit ose të akuzuarit
Për përfaqësimin e të dyshuarve ose të akuzuarve, një avokat duhet të përmbushë kriteret e parashtruara në Rregulloren e Procedurës dhe të Provave dhe në Direktivën për Mbrojtësit.
Nëse i dyshuari ose i akuzuari ka mjete të mjaftueshme financiare për të paguar mbrojtësin e vet, Administratori emëron mbrojtësin e zgjedhur prej të dyshuarit ose të akuzuarit. Nëse i dyshuari ose i akuzuari nuk ka mjete të mjaftueshme financiare, Administratori i cakton një mbrojtës. Hollësitë lidhur me caktimin rregullohen përmes Rregullores për Ndihmën Juridike.
Lista e Mbrojtësve
Për t’u pranuar në Listën e Mbrojtësve, një avokat duhet të përmbushë disa kritere të parashtruara në Pjesën 5 të Direktivës për Mbrojtësit e cila hyri në fuqi më 6 nëntor të vitit 2017. Procesi për pranim në Listën e Mbrojtësve parashtrohet në Pjesën 6 dhe Pjesën 7 të Direktivës.
Avokati që bën kërkesë për pranim në Listën e Mbrojtësve mund të bëjë të ditur nëse është i gatshëm që brenda një kohe të shkurtër të caktohet si mbrojtës kujdestar. Zyra e Mbrojtjes mban një listë të mbrojtësve kujdestarë për këtë qëllim.
Formulari i kërkesës për pranim në Listën e Mbrojtësve gjendet KËTU.
Udhëzuesi në lidhje me plotësimin e formularit për pranim në Listën e Mbrojtësve gjendet KËTU.
Të gjitha pyetjet lidhur me procedurën e paraqitjes së kërkesës për pranim në Listën e Mbrojtësve dhe me punën e Zyrës së Mbrojtjes, mund të dërgohen në këtë adresë elektronike: [email protected].
Informacion më të hollësishëm për mbrojtjen e të dyshuarve dhe të akuzuarve para Dhomave të Specializuara të Kosovës mund ta gjeni në fletinformacionin KËTU.
Listat e përditësuara të Mbrojtësve mund t'i gjeni KËTU.