Më 6 mars, përfaqësueset e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Zilke Shtuxhinski (Silke Studzinsky), shefe e Zyrës për Pjesëmarrjen e Viktimave dhe Avis Benesh (Avis Benes), shefe e Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun patën një takim me disa organizata joqeveritare në Qendrën për Energji Qytetare në Mitrovicën veriore. Ky takim ishte në kuadër të takimeve konsultuese të programit për komunikim dhe ndërgjegjësim të Dhomave të Specializuara të Kosovës, me synim vendosjen e komunikimit të ndërsjellë midis popullatës në Kosovë dhe Dhomave të Specializuara të Kosovës nëpërmjet të cilit mundësohet i gjithë informacion i nevojshëm mbi detyrat dhe procedurat e gjykatës. Benesh dhe Shtuxhinski folën për mandatin e Dhomave të Specializuara të Kosovës si edhe për pjesëmarrjen e viktimave dhe iu përgjigjën pyetjeve dhe rekomandimeve të pjesëmarrësve në lidhje me veprimtari të ardhshme informuese dhe ndërgjegjësuese dhe për pjesëmarrjen e viktimave. Synimi konkret i këtij takimi ishte vendosja e kontakteve me popullatën serbe dhe diskutimi mbi mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen me organizatat joqeveritare dhe ato të shoqërisë civile në veri.

Burimi: 
Dhomat e specializuara