Më 2 dhjetor, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) pritën në ndërtesën e re të gjykatës në Hagë një grup gazetarësh nga Ballkani Perëndimor, ndër të cilët edhe gazetarë nga Kosova dhe Serbia. Vizita u organizua dhe mundësua nga Balkan Investigative Reporting Network (BIRN) në kuadrin e një vizite në disa tribunalë të ndryshëm në Hagë. Gjatë ditës, gazetarët u takuan dhe folën me përfaqësues të DHSK-së dhe ZPS-së.
Administratorja e DHSK-së, Dr. Fidelma Donlon, tha, “Pata kënaqësinë të pres në mjediset tona gazetarë nga rajoni me të cilët folëm për krijimin dhe punën e Zyrës Administrative të DHSK-së dhe rolin e saj në garantimin e procedurave të sigurta dhe të drejta. Gjithashtu, me shumë kënaqësi mora mendimet e tyre të vlefshme lidhur me komunikimin e DHSK-së me gazetarët. Gatishmëria për të komunikuar, transparenca dhe saktësia në marrëdhëniet me gazetarët mbeten aspekt qendror i punës së DHSK-së në komunikimin me gazetarët.”
Në mjediset e Dhomave të Specializuara të Kosovës ka një qendër për median ku do të mbahen konferenca për shtyp me përkthim simultan në tri gjuhët e gjykatës - shqipe, anglishte dhe serbishte - si edhe një hapësirë ku gazetarët do të mund të punojnë pasi të kenë filluar seancat gjyqësore. Gjithashtu, seancat gjyqësore do të transmetohen në të tri gjuhët në faqen e Internetit të DHSK-së.