Gjykatësi Kai Ambos, gjykatës i Regjistrit të Gjykatësve Ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës është përzgjedhur Amicus Curiae në Juridiksionin Special për Paqe të Kolumbisë (Jurisdicción Especial para la Paz (JEP) së bashku me nëntë juristë të tjerë të huaj, prej 77 kandidatëve. Juridiksioni Special për Paqe u krijua në bazë të marrëveshjes së paqes në 2016 midis qeverisë kolumbiane dhe Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC). Korniza për Drejtësisë Kalimtare në Kolumbi përmban një komision për të vërtetën, një komision për hetimin e zhdukjeve të individëve, një njësi për hetime penale dhe JEP-në që ka dy organe: Tribunal para la Paz (Tribunali për Paqe) dhe Salas de Justicia (Dhomat e Drejtësisë). Mandati i JEP-së është hetimi dhe gjykimi i krimeve në lidhje me konfliktin në Kolumbi që zgjati më shumë se pesë dekada. Në përbërje të JEP-së janë gjykatës kolumbianë dhe në të mund të marrin pjesë edhe shtetas të shteteve të tjera si Amicus Curiae, të cilët janë ekspertë juridikë ndërkombëtarë që mund t’u ofrojnë këshilla juridike të dy organeve të JEP-së. Gjykatësi Ambos u zgjodh në Tribunalin për Paqe.
Kryetare Trendafilova e përgëzoi gjykatësin Ambos për zgjedhjen e tij dhe shtoi: “Emërimi i gjykatësit Ambos si Amicus Curiae është tregues i qartë i kompetencës, profesionalizmit dhe integritetit të tij në nivelin më të lartë si edhe vlerësim i përkushtimit të tiji të pakursyer kundrejt drejtësisë.”
Gjykatësi Ambos u emërua në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 7 shkurt 2017. Gjykatësit e Regjistrit të Gjykatësve Ndërkombëtarë janë të pranishëm në selinë e Dhomave të Specializuara vetëm me kërkesë të Kryetares së Dhomave të Specializuara dhe mund të punojnë duke mos qenë të pranishëm dhe të marrin pjesë në veprimtari profesionale të tjera që nuk e cenojnë mundësinë e tyre për caktim nga Kryetarja.