Gjykatësja Kristinë Van den Vajngart (Christine Van den Wyngaert), anëtare e Regjistrit të Gjykatësve Ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, u nderua me çmimin “Paqe në botë përmes ligjit” (World Peace Through Law Award) për vitin 2018, çmim ky që jepet nga Instituti i së Drejtës Botërore Whitney R. Harris në Fakultetin e Drejtësisë të Washington University në St. Louis të SH.B.A. Duke filluar që nga viti 2006, ky çmim u jepet specialistëve të shquar në fushën e ligjit të cilët me njohuritë akademike dhe veprimtaritë e tyre gjyqësore kanë dhënë ndihmesë për forcimin e shtetit të së drejtës dhe përparimin e paqes në botë.
Gjykatëses Kristinë Van den Vajngart iu akordua ky çmim për shërbime të shquara në kuadër të Gjykatës Penale Ndërkombëtare që prej vitit 2009 si dhe për punën e saj në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për Ish-Jugosllavinë dhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Gjykatësja Ekaterina Trendafilova, Kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës, tha: “Gjykatësja Van den Vajngart ka qenë përherë mbrojtëse e përkushtuar e shtetit të së drejtës dhe e përparimit të së drejtës ndërkombëtare, qoftë në punën e saj si gjykatëse në institucione të ndryshme gjyqësore, ashtu edhe si akademike e shquar. Ky çmim është pasqyrim i përkushtimit të saj të paepur ndaj paqes në botë dhe një dëshmi e mëtejshme e kalibrit të lartë të gjykatësve të emëruar në Dhomat e Specializuara të Kosovës.”