Haxhi Shala u arrestua dje, më 11 dhjetor 2023, në Kosovë, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, në bazë të fletarrestimit, urdhrit për transferim dhe Aktakuzës së Konfirmuar, të lëshuara nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Haxhi Shala u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë sot, më 12 dhjetor 2023.

Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi Aktakuzën kundër Haxhi Shalës më 4 dhjetor 2023. Versioni i redaktuar publik i Aktakuzës së Konfirmuar gjendet në faqen e internetit të DHSK-së. Ditën e arrestimit, i akuzuari mori një kopje të Aktakuzës në gjuhën e tij amtare.

Sipas Aktakuzës së Konfirmuar, midis së paku 5 prillit 2023 dhe 12 prillit 2023, z. Shala, në bashkëkryerje me individë të tjerë, ndër të cilët Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari, u bashkërenduan si grup para dhe pas kontakteve personale të z. Januzi dhe z. Bahtijari me dëshmitarin 1.

Në të thuhet gjithashtu se, me udhëzim të z. Shala, z. Januzi dhe z. Bahtijari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste të veçanta për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi në proceset zyrtare para Dhomave të Specializuara të Kosovës, ndër të cilat përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.

Sipas Aktakuzës, kjo sjellje tregon se z. Shala synonte ta frikësonte dëshmitarin 1 dhe të pengonte persona zyrtarë, përfshirë prokurorë dhe hetues të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në Aktakuzën e Konfirmuar Haxhi Shala akuzohet për: (i) frikësim; dhe (ii) tentativë me anë të kërcënimit të rëndë për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, individualisht dhe me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi.

Sa i përket kontekstit të çështjes, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u arrestuan në Kosovë më 5 tetor 2023 dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 tetor 2023, në bazë të Aktakuzës së Konfirmuar. Informacionin për çështjen gjyqësore kundër Januzit dhe Bahtijarit mund ta gjeni në rubrikën përkatëse Çështjet Gjyqësore.

Paraqitja e parë e Haxhi Shalës është caktuar të mbahet më 13 dhjetor 2023 në orën 14:00 në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Paraqitja e parë do të mbahet në seancë publike. Gjatë paraqitjes së parë Gjykatësi i Procedurës Paraprake garanton respektimin e të drejtave të të akuzuarve, përfshirë të drejtën për përfaqësim juridik, dhe se të akuzuarit i kuptojnë akuzat e paraqitura kundër tyre.

Paraqitja e parë mund të ndiqet nga faqja elektronike me një vonesë të shkurtër në https://www.scp-ks.org/sq/transmetim.

Gjithashtu, seanca mund të ndiqet dhe nga galeria publike e sallës së gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë. Gjithashtu, në ndërtesën e DHSK-së gjendet dhe një qendër e posaçme për mediat, ku gazetarët mund të punojnë dhe të ndjekin procesin me një vonesë të shkurtër.

Më shumë informacion se si të shkoni në faqen e DHSK-së për të ndjekur seancën mund të gjenden këtu.

Burimi: 
Dhomat e specializuara