Më 21 tetor, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) Ekaterina Trendafilova iu drejtua shoqërisë civile dhe gazetarëve në një aktivitet të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim që u mbajt në internet. Gjatë aktivitetit Kryetarja iu përgjigj pyetjeve, dëgjoi shqetësimet e personave dhe foli rreth mandatit dhe punës së Gjykatës. Programi për Komunikim dhe Ndërgjegjësim ka qenë pjesë përbërëse e strategjisë së komunikimit të DHSK-së që prej momentit që Gjykata filloi punën.

 “E vlerësoj që  gjetët kohë të merrnit pjesë në këtë aktivitet dhe jam mirënjohëse që patëm mundësinë të bisedonim rreth punës së DHSK-së në mënyrë të hapur dhe transparente,” tha Kryetare Trendafilova.

Në përgjigje të pyetjes lidhur me kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore, Kryetarja shpjegoi efikasitetin e proceseve gjyqësore, faktin që aktgjykimi i parë në DHSK u shqiptua në më pak se tetë muaj nga deklaratat hyrëse në këtë çështje gjyqësore si dhe për mbylljen e gjykimit të dytë. Kryetare Trendafilova theksoi se çështja e tretë sapo i është transferuar Trupit Gjykues dhe se çështja e katër po përparon në fazën e procedurës paraprake.  

Pyetjes nëse Gjykata garanton trajtimin e drejtë të të akuzuarve, Kryetare Trendafilova iu përgjigj duke shpjeguar mënyrën sesi korniza ligjore e DHSK-së garanton respektimin e të drejtave dhe lirive themelore në përputhje me Kushtetutën dhe se DHSK-ja në ushtrimin e mandatit të saj, respekton standardet më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ku përfshihet respektimi i të drejtave të të akuzuarve dhe të drejtave të viktimave pjesëmarrëse në proces.  

Kryetare Trendafilova, e cila ndodhet aktualisht në një vizitë në Kosovë tha se do të takohet sërish me gazetarët dhe shoqërinë civile për të folur rreth mandatit dhe punës së Gjykatës.

Këtu mund të gjeni pjesë nga fjalimi i sotëm i Kryetares.

Burimi: 
Dhomat e specializuara