Më 29 nëntor, Kryetarja e Dhomave të Specializuar të Kosovës (DHSK), Ekaterina Trendafilova, u takua me përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë në një aktivitet të Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim në Prishtinë.  Gjatë aktivitetit, ajo iu përgjigj pyetjeve, dëgjoi shqetësimet e pjesëmarrësve dhe shpjegoi mandatin dhe punën e Gjykatës. Programi për Komunikim dhe Ndërgjegjësim ka qenë pjesë përbërëse e strategjisë për komunikim të DHSK-së që prej momentit kur Gjykata filloi punën.

“Ajo që vlerësoj më shumë në vizitën time në Kosovë është takimi me studentë të Universitetit dhe me anëtarë të shoqërisë civile. Më vjen mirë që shoh se vazhdon të ketë shumë interes për punën e Gjykatës dhe jam mirënjohëse që njerëzit gjetën kohën për të ardhur këtu sot. Ishte e rëndësishme për mua që të flisja drejtpërdrejt me njerëzit dhe të kisha mundësinë të flisja për çështjet gjyqësore në DHSK dhe për mandatin e saj,” tha Kryetare Trendafilova.

Në përgjigje të pyetjes lidhur me kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore, Kryetarja foli për efikasitetin e proceseve gjyqësore, që shihet në lëshimin e dy aktgjykimeve të formës së prerë më 2023, përfundimin e pritshëm të fazës së paraqitjes së provave në një gjykim të tretë në fillim të vitit të ardhshëm dhe fillimin e procedurës paraprake në një çështje gjyqësore tjetër.  

Kryetare Trendafilova ka vënë re protestat që u zhvilluan jashtë ndërtesës ku u mbajt aktiviteti i Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim sot. Megjithatë, ajo shpreson se duke vazhduar informimin e publikut me transparencë dhe saktësi për proceset e DHSK-së, puna e bërë në Gjykatë do të flasë vetë.

Pyetjes nëse Gjykata garanton trajtimin e drejtë të të akuzuarve, Kryetarja Trendafilova iu përgjigj duke shpjeguar mënyrën sesi korniza ligjore e DHSK-së garanton respektimin e të drejtave dhe lirive themelore në përputhje me Kushtetutën dhe sesi DHSK-ja, në ushtrimin e mandatit të saj, respekton standardet më të larta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ku përfshihet respektimi i të drejtave të të akuzuarve dhe i të drejtave të viktimave pjesëmarrëse në proces.

Burimi: 
Dhomat e specializuara