Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri, priti sot në një takim gjykatësen Ekaterina Trendafilova, Kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe dr. Fidelma Donlon, Administratore e Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Kryetare Trendafilova e informoi ministrin mbi zhvillimet në Dhomat e Specializuara të Kosovës në 2017 si dhe mbi përparësitë në të ardhmen.
Ministër Tahiri i informoi Kryetaren dhe Administratoren e Dhomave të Specializuara të Kosovës mbi hapat e ndërmarra nga qeveria e Kosovës për mbrojtjen ligjore dhe asistencën teknike për të gjithë ata shtetas të Kosovës që mund të paraqiten para gjykatës. Gjithashtu, ai theksoi gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin prej Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, miratuar nga Kuvendi i Kosovës.
Gjatë këtij takimi të parë midis drejtuesve të Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe ministër Tahirit, të dy palët i mëshuan nevojës për mundësimin e proceseve gjyqësore të drejta, të paanshme, të pavarura dhe transparente para Dhomave të Specializuara të Kosovës në përputhje me standardet më të larta të të drejtave të njeriut.