Më 19 maj, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova dhe Administratorja e DHSK-së, Dr. Fidelma Donlon biseduan me një grup avokatësh, studentësh dhe përfaqësues të OJQ-ve nga Kosova. Takimi u organizua në bashkëpunim me shoqërinë civile.
“Si Kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës, konsideroj se është me rëndësi madhore komunikimi me njerëzit në Kosovë dhe në rajon lidhur me punën e institucionit tonë, në mënyrë që ata të kuptojnë se gjykata është themeluar për të siguruar procedura gjyqësore të drejta, të pavarura dhe të paanshme, dhe se ne që punojmë këtu e marrim këtë mandat shumë seriozisht. Sot, unë isha mirënjohëse për mundësinë për të dëgjuar pikëpamjet e pjesëmarrësve dhe për t'u përfshirë në një dialog me ta,” tha Kryetare Trendafilova.
Komunikimi dhe ndërgjegjësimi kanë qenë përparësi kyçe e DHSK-së që nga themelimi i gjykatës. Me përjashtim të vitit të kaluar, gjatë pandemisë së COVID-19, ekipi i Programit për komunikim dhe ndërgjegjësim ka udhëtuar për në Kosovë rreth një herë në muaj për të zhvilluar takime në të cilat pjesëmarrësve u jepet mundësia të mësojnë për mandatin dhe veprimtaritë e gjykatës, të bëjnë pyetje dhe të ngrenë shqetësimet e tyre. Që nga marsi i vitit 2020 aktivitetet për komunikim dhe ndërgjegjësim u zhvendosën përkohësisht në Internet, me afërsisht dy aktivitete çdo muaj, të mbajtura me studentë, juristë, gazetarë, të rinj dhe grupe të tjera.
Si pjesë e Programit të saj për komunikim dhe ndërgjegjësim, DHSK-ja përgatiti disa videoklipe informuese për transmetim në Kosovë, në gjuhën shqipe, serbishte dhe anglishte, lidhur me mandatin e Dhomave të Specializuara, Avokatin e Popullit të DHSK-së, masat mbrojtëse për dëshmitarët, pjesëmarrjen e viktimave dhe procesin e aplikimit për viktimat.
Që nga viti 2018 veprimtaritë e komunikimit dhe ndërgjegjësimit financohen me mbështetjen bujare të Departamentit Federal të Punëve të Jashtme të Zvicrës.