Më 23 nëntor 2017, në kuadër të vizitës së saj të parë si Kryetare e Dhomave të Specializuara, gjykatëse Ekaterina Trendafilova, së bashku me Administratoren, dr. Fidelma Donlon, në kuadër të veprimtarisë informuese dhe ndërgjegjësuese të Dhomave të Specializuara zhvilluan një veprimtari informuese me përfaqësues të shoqërisë civile të Kosovës.

Gjatë kësaj veprimtarie në Prishtinë që zgjati dy orë e gjysmë dhe që u pasqyrua prej mediave, Kryetarja dhe Administratorja prezantuan strukturën, zhvillimet më të fundit ligjore dhe punën e Dhomave të Specializuara. Ato dëgjuan mendimet e përfaqësuesve të shoqërisë civile për punën e Dhomave të Specializuara, iu përgjigjën pyetjeve dhe diskutuan për të gjitha çështjet e përmendura.

Kryetare Trendafilova shprehu kënaqësinë për praninë e saj në Prishtinë dhe informoi për organizimin e veprimtarive të ngjashme në Kosovë në të ardhmen. Gjatë veprimtarisë, kryetare Trendafilova theksoi vendosmërinë e Dhomave të Specializuara për mundësimin e proceseve gjyqësore të sigurta, të pavarura, të paanshme të drejta dhe efikase, në përputhje të plotë me të drejtat e të dyshuarve, të akuzuarve dhe të viktimave. Gjithashtu, ajo theksoi se Dhomat e Specializuara po krijojnë një sistem masash të forta për garantimin e sigurisë, mirëqenies, dinjitetit dhe privatësisë të dëshmitarëve dhe viktimave.

Kryetare Trendafilova falënderoi qeverinë zvicerane për zotimin e saj për të ndihmuar Programin për Komunikim dhe Ndërgjegjësim të Dhomave të Specializuara të Kosovës për dy vitet e ardhshme, duke shtuar se ky është një kontribut i vyer për veprimtarinë informuese dhe ndërgjegjësuese të Dhomave të Specializuara, qëllimi i së cilës është që të vendoset komunikim i drejtpërdrejtë me publikun në Kosovë dhe rajon. Administratorja theksoi se nga fillimi i vitit të ardhshëm, Dhomat e Specializuara do të zhvillojnë konsultime për të marrë mendime se çfarë temash dhe publiku do të jenë në qendër të veprimtarisë komunikuese dhe ndërgjegjësuese në të ardhmen.

Burimi: 
Dhomat e specializuara