Në janar, Administratorja, dr.Fidelma Donlon, nënshkroi një marrëveshje me qeverinë zvicerane për financimin e veprimtarive informuese dhe ndërgjegjësuese të Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar në Kosovë për vitin 2018 dhe 2019. Shuma e dhuruar prej 181.200 euro do të përdoret për vijimin e bashkëpunimit të tyre me palët e interesuara në nivel vendor dhe rajonal, për fuqizimin e komunikimit të ndërsjellë me qytetarët e Kosovës dhe shoqërinë civile.
Pas funksionalizmit të plotë gjyqësor të Dhomave të Specializuara dhe miratimit të dokumenteve themelore normative, programi për informim dhe ndërgjegjësim do të intensifikohet dhe zgjerohet. Veprimtaritë e parapara përmes këtij programi kanë si synim të fuqizojnë dialogun, transparencën, njohuritë, të kumtojnë mesazhe të qarta dhe të sigurojnë objektivitetin e informimit në lidhje me procedurat gjyqësore të zhvendosura jashtë Kosovës dhe për përballimin e sfidave që lidhen me trajtimin e tyre. Veprimtaritë informuese dhe ndërgjegjësuese të këtij programi do t’u drejtohen dhe do të ndërveprojnë me shtresa të ndryshme të shoqërisë, si shoqëria civile, media, bota akademike dhe juridike, studentët, të rinjtë si edhe publiku në tërësi.
Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, Kryetare Ekaterina Trendafilova deklaroi: “Nëpërmjet kësaj dhurate zemërgjerë, si shtet kontribuues Zvicra jep një ndihmë të vyer për një aspekt jetik të këtyre institucioneve, që do të thotë, në përhapjen e njohurive dhe informacionit për publikun në lidhje me mandatin dhe punën e Dhomave të Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Shpreh mirënjohjen dhe falënderimet më të sinqerta për angazhimin e qeverisë zvicerane pasqyruar prej kësaj marrëveshjeje.