Përgjegjës për administrimin, shërbimet dhe detyrat e tjera të Dhomave të Specializuara është Administratori, i cili drejton Zyrën Administrative dhe përfaqëson një nga tre krerët e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.
Administratori është autoriteti më i lartë administrativ i gjykatës. Gjithashtu, ai është në krye të shërbimeve mbështetëse gjyqësore nëpërmjet të cilave u mundëson Dhomave dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar të gjithë mbështetjen e nevojshme ligjore dhe operative. Zyra Administrative përfshin njësi të ndryshme mbështetëse: njësinë juridike, njësinë për administrimin gjyqësor, njësinë e shёrbimeve gjuhёsore, njësinë për mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve, njësinë e informimit dhe komunikimit me publikun, njësinë e burimeve njerëzore, njësinë e TI-së, njësinë e buxhetit dhe atë të sigurimit. Administratori është gjithashtu përgjegjës për funksione të tjera të nevojshme për veprimtarinë e Dhomave të Specializuara, si mbrojtja, pjesëmarrja e viktimave, paraburgimi dhe Avokati i Popullit.
Njësia e Zyrës Administrative për Mbrojtjen dhe Mbështetjen e Dëshmitarëve u siguron dëshmitarëve masat e nevojshme për sigurinë dhe mbrojtjen e tyre. Ҫdo kërcënim, frikësim ose shkelje e urdhrave për masa mbrojtëse ndiqet penalisht nga Zyra e Prokurorit të Specializuar para Dhomave të Specializuara.
Administratori është gjithashtu përgjegjës për përgatitjen dhe përdorimin e buxhetit të Dhomave të Specializuara në përputhje me standardet dhe rregullat financiare të BE-së. Për më tepër, Administratori është përgjegjës për marrëdhëniet me bashkësinë diplomatike dhe koordinim të jashtëm, si dhe për zbatimin e politikës së komunikimit të Dhomave të Specializuara.
Administratore e Dhomave tё Specializuara ёshtё dr. Fidelma Donlon.
Zyra e Mbrojtjes
Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar u garanton të gjithë të akuzuarve para Dhomave të Specializuara të drejtën e mbrojtjes përmes “Mbrojtësve të Specializuar” - avokatë që përmbushin kriteret e ushtrimit të profesionit para Dhomave të Specializuara. Të dyshuarit ose të akuzuarit kanë të drejtën që t’u caktohet një mbrojtës i tillë në rast se kërkohet prej interesave të drejtësisë. Në emër të Administratores, Zyra e Mbrojtjes administron Listën e Mbrojtësve të vet. Zyra e Mbrojtjes administron gjithashtu një sistem të ndihmës juridike për përfaqësimin e të dyshuarve dhe/ ose të akuzuarve që nuk zotërojnë, ose zotërojnë pjesërisht, mjete financiare të mjaftueshme.
Më 6 nëntor 2017, me miratimin e Kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, pas këshillimeve me gjykatësit, Administratorja nxori Direktivën për Mbrojtësit. Direktiva përcakton kriteret që duhet të përmbushin mbrojtësit për t’u pranuar në Listën e Mbrojtësve të Specializuar që përmbushin kriteret për përfaqësimin e të dyshuarve ose të akuzuarve. Tashmë është e hapur ftesa për kërkesat për pranim në Listë dhe mund të gjendet këtu.
Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave
Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar përcakton në hollësi interesat dhe të drejtat individuale të viktimave në procedurat penale para Dhomave të Specializuara. Ligji parashikon krijimin e Zyrës së Pjesëmarrjes së Viktimave në kuadër të Zyrës Administrative. Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave u ofron asistencë dhe këshilla viktimave që marrin pjesë në procedurat penale para Dhomave të Specializuara.
Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave administron sistemin e pjesëmarrjes së viktimave para Dhomave të Specializuara. Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave administron një listë mbrojtësish që janë të specializuar dhe me përvojë si mbrojtës viktimash, të cilët i përmbushin kriteret për përfaqësimin e viktimave. Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave gjithashtu administron një sistem për mbulimin e shpenzimeve për përfaqësimin juridik të viktimave.
Më 6 nëntor 2017, me miratimin e Kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, pas këshillimeve me gjykatësit, Administratorja nxori Direktivën për Mbrojtësit. Direktiva përcakton kriteret që duhet të përmbushin mbrojtësit për t’u pranuar në Listën e Mbrojtësve të Viktimave që përmbushin kriteret për përfaqësimin e viktimave para Dhomave të Specializuara të Kosovës. Tashmë është e hapur ftesa për kërkesat për pranim në Listë dhe mund të gjendet këtu.