Përmbledhje e ankesave të marra nga Zyra e Avokatit të Popullit të cilat sollën këtë raport
2024
Çështja-2024-02/03
Ankesa: Mbrojtësit e katër parashtruesve të ankesës dorëzuan në emër të tyre një kërkesë të mëtejshme për rishikimin e Vendimit të Avokatit të Popullit për lëndët OMB-C-2024-02/01 dhe OMB- C-2024-02/02. Në kërkesën e tyre, parashtruesit i kërkuan Avokatit të Popullit që të trajtonte aspektin e mungesës së miradministrimit prej Administratores kur u ndryshua Rregullorja e vitit 2020 dhe u miratua Rregullorja për Ndihmë Juridike, e Ndryshuar, e vitit 2024. Sipas parashtruesve të ankesës, moskonsultimi dhe mosnjoftimi përpara miratimit të Rregullores për Ndihmë Juridike të vitit 2024 përbën keqadministrim. Ata argumentuan se Administratorja nuk u konsultua me Organin Përfaqësues të Pavarur të Mbrojtësve të Specializuar (OPPMS). Gjithashtu parashtruesit e ankesës pretenduan se ata ishin dukshëm palë të interesuara në procesin e ndryshimeve dhe, si të tillë, duhet të kishin qenë pjesë e procesit të konsultimit.
Krahas kësaj, parashtruesit e ankesës argumentuan se Administratorja nuk përmbushi detyrimin e saj për ta bërë publik procedurën e ndryshimit dhe cituan nenin 3(2) të Rregullores për Ndihmë Juridike dhe nenin 41 të Kushtetutës së Kosovës (Kushtetuta) në mbështetje të argumentit të tyre.
Vlerësimi: Gjatë vlerësimit të tij, Avokati i Popullit analizoi edhe një herë rregullën 3(1) të Rregullores për Ndihmë Juridike, e cila përcakton që Administratorja mund ta ndryshojë këtë Rregullore proprio motu ose mbi bazën e propozimeve për ndryshime, dhe se ajo mund të këshillohet me OPPMS-në në lidhje me propozimet për ndryshime.
Avokati i Popullit arriti në përfundimin se jo vetëm që Administratorja nuk ka asnjë detyrim ligjor të konsultohet me OPPMS-në në rastet e ndryshimeve proprio motu të Rregullores për Ndihmë Juridike, por edhe se konsultimi me palë të tjera të interesuara nuk përmendet askund.
Më tej, Avokati i Popullit arriti në përfundimin se pretendimet e parashtruesve të kërkesës në lidhje me mungesën e konsultimeve me OPPMS-në nuk do të shqyrtoheshin për arsye se ata nuk mund të konsideroheshin si përfaqësues të OPPMS-së dhe, rrjedhimisht, nuk kishin locus standi. Gjithashtu, në lidhje me pretendimin e parashtrueseve të kërkesës se ata ishin “dukshëm palë të interesuara”, Avokati i Popullit vuri në dukje se asnjë prej katër parashtruesve ose mbrojtësve të tyre nuk i kishte paraqitur DHSK-së kërkesë për ndihmë juridike deri disa muaj pas miratimit të Rregullores së vitit 2024.
Në lidhje me pretendimin për mosnxjerrjen ose refuzimin e Administratores për ta bërë publike evidencën e procedurës së ndryshimit, Avokati i Popullit rikujtoi nenin 41(2) të Kushtetutës i cili vendos kufizime në të drejtën e qasjes në dokumente publike. Gjithashtu, Avokati i Popullit vuri në dukje dispozitat e nenit 62 të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, sipas të cilit dokumentet, letrat, të dhënat dhe arkivat e Dhomave të Specializuara, të Zyrës Administrative dhe të Zyrës së Prokurorit të Specializuar nuk konsiderohen dokumente publike të Kosovës dhe se nuk ekziston e drejtë e përgjithshme për të pasur qasje në këto dokumente, letra, të dhëna dhe arkiva.
Përfundimi: Avokati i Popullit e hodhi poshtë ankesën në tërësi.
Shënim: Raporti i plotë lidhur me këtë ankesë gjendet në faqen e internetit të DHSK-së.
Çështja-2024-02/02
Ankesa: Në emër të katër parashtruesve, mbrojtësit parashtruan një kërkesë për rishikim të vlerësimit të parë të Avokati i Popullit për lëndën OMB-C-2024-02. Në parashtrimin e tyre ata pretenduan se Avokati i kishte gabuar që nuk mori parasysh rregullën 6(4) të Rregullores së Procedurës të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese (RRPDHSGJK), e cila do t’i lejonte Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese (DHSGJK), që të zgjasë, në rrethana të kufizuara, afatin 2-mujor i cili vlen për Avokatin e Popullit për t’i referuar Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese aspektin e kushtetutshmërisë së Rregullores për Ndihmë Juridike.
Rrjedhimisht, Avokatit të Popullit iu kërkua që të rishikonte vlerësimin e tij në vendimin e parë, dhe t’i referonte DHSGJK-së aspektin e kushtetutshmërisë së KSC-BD-25/Rev1.
Vlerësimi: Avokati i Popullit iu referua nenit 113(2) të Kushtetutës, i cili autorizon Avokatin e Popullit për t’i paraqitur kërkesa referuese DHSGJK-së, i cili nuk përfshin kërkesa referuese bazuar vetëm në një kërkesë nga një individ. Çdo referim nga Avokati i Popullit drejtuar DHSGJK-së duhet të bazohet në vlerësimin e tij se ligji i kontestuar është i papajtueshëm me Kushtetutën. Të veprohet ndryshe do të ishte në kundërshtim të drejtpërdrejtë me nenin 113 të Kushtetutës. Në fakt, Avokati i Popullit mori parasysh rregullën 6(4), por ai nuk konstatoi asnjë arsye të vlefshme për të kërkuar zgjatje të afatit 2mujor për t’i paraqitur DHSGJK-së një kërkesë referuese. Gjatë shqyrtimit të kriterit për të siguruar ndihmë juridike të mjaftueshme dhe nëse Rregullorja për Ndihmë Juridike e vitit 2024 është jokushtetuese, Avokati i Popullit arriti në përfundimin se mjaftueshmëria e Rregullores së vitit 2024 mund të shqyrtohet vetëm rast pas rastit. Në lidhje me këtë, ai theksoi se parashtruesit e ankesës nuk pretenduan se ishte marrë ndonjë vendim konkret në përputhje me Rregulloren për Ndihmë Juridike të vitit 2024. Ai thekson gjithashtu se Rregullorja për Ndihmë Juridike e vitit 2024 përcakton një mekanizëm për rishikim nga një panel kompetent të cilitdo vendim mbi ndihmë juridike. Avokati i Popullit arriti në përfundimin se e drejta e të akuzuarit për mjet juridik të efektshëm është pjesë përbërëse e rregullores dhe i takon mbrojtësit të shfrytëzojë atë. Ai rikujtoi gjithashtu se të katër parashtruesit e ankesës janë në procedim para dhomave penale dhe në radhë të parë u takon dhomave penale të mbrojnë dhe të ruajnë të drejtat e të akuzuarve.
Rrjedhimisht, Avokati i Popullit hodhi poshtë pretendimin se ai gaboi që nuk mori parasysh rregullën 6(4) në vlerësimin e tij dhe hodhi poshtë pretendimin e parashtrueseve të ankesës se ai gaboi që nuk e gjykoi të vlefshme kërkesën referuese për Rregulloren për Ndihmë Juridike të vitit 2024.
Përfundimi: Avokati i Popullit hedh poshtë në tërësi kërkesën për rishikim.
Shënim: Raporti i plotë lidhur me këtë ankesë gjendet në faqen e internetit të DHSK-së.
Çështja-2024-02/01
Ankesa: Që nga arrestimet e tyre katër parashtruesit e ankesës po mbahen në paraburgim në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ata pretenduan se Administratorja shkeli të drejtën e tyre për gjykim të drejtë, dhe më konkretisht të drejtën e tyre për mbrojtje të efektshme.
Mbrojtësit në emër të parashtruesve të ankesës pretenduan se të drejtat themelore të klientëve të tyre u shkelën kur Administratorja miratoi Rregulloren për Ndihmë Juridike të Rishikuar (KSC-BD-25/Rev1) në shkurt 2024. Ata pretenduan se ndryshimet në Rregulloren për Ndihmë Juridike të Rishikuar në lidhje me fondet që akordohen për vepra penale për pengim të drejtësisë, rezultojnë në shkelje të të drejtave të tyre sipas neneve 30 dhe 31 të Kushtetutës dhe nenit 6(3) të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Ata u ankuan se sistemi i ri për Ndihmë Juridike do të rezultojë në akordim të fondeve të pamjaftueshme për përfaqësim të efektshëm të të akuzuarve, çka shkel të drejtat themelore të tyre.
Gjithashtu, mbrojtësit në emër të parashtruesve të ankesës i kërkuan Avokatit të Popullit që të ushtronte kompetencën e tij sipas nenit 49(5) të Ligjit nr.05/L-053 dhe t’i referonte Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese aspektin e kushtetutshmërisë së Rregullores për Ndihmë Juridike të vitit 2024.
Në parashtrimin drejtuar Avokatit të Popullit, mbrojtësit në emër të parashtruesve të ankesës u ankuan dhe për mungesë të një mekanizmi për fonde të përkohshme për mbrojtësit e zgjedhur, në pritje të akordimit të fondit për ndihmë juridike. Mbrojtësit kërkuan nga Avokati i Popullit që të shqyrtonte aspektin e tërheqjes së mbrojtësit për shkak të mungesës së fondeve.
Vlerësimi: Në përputhje me rregullën 26 të Rregullores së Punës së Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, çdo referim nga Avokati i Popullit i Dhomave të Specializuara ose nga Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës parashtrohet brenda dy (2) muajsh nga hyrja në fuqi e ligjit të kundërshtuar. Ankesa dhe kërkesa për referim Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese u regjistrua në zyrën e Avokatit të Popullit pasi kishte përfunduar afati. Rrjedhimisht, Avokati i Popullit nuk mund të shqyrtonte asnjë kërkesë të ankuesve për t’i referuar Gjykatës Kushtetuese Rregulloren për Ndihmë Juridike të Rishikuar.
Në lidhje me shkeljet e pretenduara të të drejtave të parashtruesve të ankesës si rezultat i miratimit nga Administratorja të disa ndryshimeve në Rregulloren për Ndihmë Juridike, Avokati i Popullit konstatoi se procesi kundër parashtruesve është në kryerje e sipër dhe se së pari u takon dhomave penale të vlerësojnë nëse shkeljet e pretenduara të të drejtave themelore të tyre si pasojë e miratimit të Rregullores së vitit 2024 kanë ndonjë bazë dhe nëse kjo mund të korrigjohet ose duhet korrigjuar gjatë procesit gjyqësor. Rrjedhimisht, në përputhje me rregullën 29(1) dhe r 29(3)(a) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave të Dhomave të Specializuara të Kosovës (RRPP), Avokati i Popullit e hodhi poshtë këtë element të ankesës, sepse atij nuk i lejohet të ndërhyjë në çështje gjyqësore ose procese të tjera ligjore në Dhomat e Specializuara.
Gjithashtu, sa i përket ankesës konkrete të njërit prej mbrojtësve lidhur me mekanizmin për fonde të përkohshme dhe tërheqje të mbrojtësit për shkak të mospagesës, Avokati i Popullit theksoi se ato ishin ankesa të llojit administrativ dhe se nuk ishte paraqitur asnjë pretendim se këto probleme kishin rezultuar në shkelje të të drejtave themelore të të akuzuarit. Rrjedhimisht, në përputhje me rregullën 29(3)(b) të RRPP-së, Avokati i Popullit e hodhi poshtë këtë element të ankesës.
Përfundimi: Ankesa dhe kërkesa për referim Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese u hodhën poshtë në tërësi.
Shënim: Raporti i plotë lidhur me këtë ankesë gjendet në faqen e internetit të DHSK-së.
2022
Çështja-2022-04
Ankesa: Ankuesi pretendoi se gjatë kohës që u intervistua nga personeli i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (“ZPS”), një nga intervistuesit përdori shprehjen “Kosovo i Metohija” (Kosovë dhe Metohi) kur iu referua Kosovës. Ankuesi deklaroi se përdorimi i kësaj shprehje ishte thellësisht fyes pasi ky është term që përdoret nga Serbia kur i referohet Republikës së Kosovës në mënyrë përbuzëse.
Ai shtoi më tej se, kur shprehu shqetësimin për përdorimin e kësaj në shprehje, në fund të intervistës, punonjësit e ZPS-së që ishin të pranishëm, dukej se nuk ishin të vetëdijshëm dhe/ose nuk u bëhej vonë për çka kishin thënë.
Avokati i Popullit i kërkoi Prokurorit të Specializuar mendimin e tij në lidhje me ankesën dhe kërkoi informacion konkret mbi përdorimin e kësaj shprehjeje gjatë intervistës me ankuesin; ai kërkoi gjithashtu informacion më të përgjithshëm nëse kjo ishte praktikë e zakonshme në ZPS.
Vlerësimi: Avokati i Popullit është bindur se shprehja u përdor gabimisht nga ZPS-ja gjatë intervistës me ankuesin, por pranon se përdorimi i saj ishte padyshim fyes për të. Sidoqoftë, Avokati i Popullit konstatoi se përdorimi i kësaj shprehjeje nuk përmbushte standardin e parashikuar për t’u konsideruar shkelje e të drejtave themelore.
Gjithashtu, Avokati i Popullit është bindur nga parashtrimet e Prokurorit të Specializuar, se ZPS-ja ka marrë masat e duhura që një gabim i tillë të mos përsëritet më në të ardhmen.
Përfundimi: Ankesa rrëzohet.
Shënim: Raporti i plotë lidhur me këtë ankesë gjendet në faqen e internetit të DHSK-së.
Çështja-2022-02
Ankesa: Ankuesit, katër persona të akuzuar para Dhomave të Specializuara, të cilët po mbahen në paraburgim që prej arrestimit të tyre, paraqitën pretendime se Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte shkelur të drejtën e tyre për gjykim të drejtë dhe përmendën veprimet konkrete të ZPS-së që ata besonin se përbënin shkelje të këtyre të drejtave.
Ankuesit ngritën pretendimin se ZPS-ja nuk kishte respektuar detyrimet e saj për nxjerrjen e materialeve sipas Ligjit dhe Rregullores së Procedurës dhe Provave. Ata gjithashtu parashtruan se materialet që kishin marrë nga ZPS-ja kishin redaktime të tepruara.
Ankuesit pretenduan se një numër shkeljesh të Kushtetutës dhe Ligjit të Dhomave të Specializuara kanë sjellë si pasojë shkeljen e së drejtës së tyre për gjykim të pavarur, të paanshëm dhe të drejtë, si dhe të së drejtës së tyre për mjet juridik efektiv.
Ata ngritën pretendime për shkelje që ishin rezultat, ndër të tjera, i mënyrës se si Dhomat e Specializuara kishin zbatuar dispozitat ligjore në një çështje gjyqësore para Dhomës së Specializuar së Gjykatës Kushtetuese, i tërheqjes së një gjykatësi nga paneli dhe i rrëzimit të parashtrimeve lidhur me lirimin e përkohshëm. Ankuesit paraqitën edhe argumente lidhur me juridiksionin e Avokatit të Popullit.
Gjithashtu, ankuesit pretenduan se Dhomat e Specializuara funksionojnë pa mbikëqyrje të mjaftueshme gjyqësore, veçanërisht për faktin se ato nuk përgjigjen para Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
Veç kësaj, ankuesit pretenduan se DHSK-ja nuk po zbaton nenin 3(1) të Ligjit Nr. 05/L-053.
Ankuesit po ashtu paraqitën pretendime për tejzgjatje të procesit të tyre para Dhomave të Specializuara.
Ata parashtruan se u ishte cenuar e drejta për gjykim të drejtë për shkak të mungesës së një vendimi nga Dhomat e Specializuara lidhur me kohëzgjatjen e gjykimit.
Së fundi, ata ngritën pretendimin se DHSK-ja po funksionon në kundërshtim me nenin 3(6) të Ligjit Nr.05/L-053.
Vlerësimi: Avokati i Popullit, vëren se të dyja ankesat e paraqitura nga ankuesit kundër ZPS-së janë trajtuar më parë në procese para Dhomave të Specializuara.
Avokati i Popullit nuk lejohet të ndërhyjë në çështje gjyqësore apo procese të tjera ligjore para Dhomave të Specializuara. Për rrjedhojë, meqë këto aspekte kanë qenë pjesë e proceseve ligjore, në bazë të rregullave 29(1) dhe 29(3)(a) të Rregullores, Avokati i Popullit nuk ka juridiksion për shqyrtimin e ankesës.
Për më tepër, disa nga elementet e parashtrimeve të ankuesve kundër Dhomave të Specializuara kanë qenë tashmë pjesë e proceseve para DHSK-së dhe u rrëzuan për mungesë juridiksioni.
Sa u përket elementeve të tjerë të ankesës, Avokati i Popullit vendosi se asnjë prej tyre nuk arriti të demonstrojë shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë ose mjet juridik efektiv. Për rrjedhojë, në bazë të rregullës 29(3)b të Rregullores së Procedurës dhe Provave, këto elemente të ankesës kundër Dhomave të Specializuara rrëzohen.
Përfundimi: Ankesa u rrëzua në tërësi.
Shënim: Raporti i plotë lidhur me këtë ankesë gjendet në faqen e internetit të DHSK-së.
2021
Çështja-2021-05
Ankesa: Parashtruesi i ankesës, një punonjës i mëparshëm i ZPS-së, paraqiti pretendimin se nxjerrja e emrit të tij në gjykatë dhe nxjerrja e emrit të tij për Mbrojtjen, çoi në shkeljen nga ZPS-ja të drejtës së tij për jetë private dhe profesionale dhe të drejtës së tij dhe të familjes së tij për jetën.
Vlerësimi: Lidhur me përmendjen e emrit të parashtruesit të ankesës gjatë procesit publik, Avokati i Popullit ishte i mendimit se kjo kishte të bënte me zhvillimin e procedurave ligjore në gjykatë. Avokatit të Populli i ndalohet të ndërhyjë në çështje gjyqësore ose procese të tjera ligjore para Dhomave të Specializuara. Rrjedhimisht, sipas rregullës 29(1) dhe 29(3)(a) të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, Avokati i Popullit nuk ka juridiksion për shqyrtimin e kësaj pike të ankesës.
Lidhur me nxjerrjen e emrit dhe emërtimit të postit të parashtruesit të ankesës në dokumentet e dhëna Mbrojtjes, Avokati i Popullit konstatoi se parashtruesi i ankesës nuk kishte pritshmëri të arsyeshme se identiteti i tij do të mbrohej/nuk do të nxirrej dhe, duke mos pasur një pritshmëri të tillë, nxjerrja e emrit të tij në dokumentet që iu dhanë Mbrojtjes nuk shkel të drejtën e tij për jetë private, që mbrohet nga neni 36 i Kushtetutës, neni 8 i KEDNJ-së dhe neni 17 i KNDCP-së.
Veç kësaj, Avokati i Popullit konstatoi se parashtruesi i ankesës nuk ka arritur të provojë se nxjerrja nga ZPS-ja e emrit të tij për Mbrojtjen, shkaktoi një rrezik real dhe të drejtpërdrejtë për jetën e tij dhe të familjes së tij, dhe, për këtë arsye, konstatohet se nuk ka çuar në shkeljen e të drejtës së tij për jetën, që mbrohet nga neni 25 i Kushtetutës, neni 2 i KEDNJ-së dhe neni 6 i KNDCP-së.
Së fundi, Avokati i Popullit konstatoi se parashtruesi i ankesës nuk ka arritur të provojë se nxjerrja nga ZPS-ja e emrit të tij për Mbrojtjen rrezikoi mundësitë e tij për të gjetur punë në të ardhmen, pasi nxjerrja e emrit u bë mbi bazën e konfidencialitetit, dhe, rrjedhimisht, nuk çoi në shkeljen e të drejtës së tij për jetë private dhe profesionale, që mbrohet nga neni 36 i Kushtetutës, neni 8 i KEDNJ-së dhe neni 17 i KNDCP-së.
Përfundim: Avokati i Popullit e deklaroi pikën e parë të ankesës të papranueshme dhe konstatoi se ZPS-ja, duke nxjerrë emrin e parashtruesit të ankesës për Mbrojtjen, nuk kishte shkelur të drejtat themelore të parashtruesit të ankesës, pasi kjo gjë ishte bërë mbi bazën e konfidencialitetit.
Shënim: Versioni i redaktuar i raportit përfundimtar në lidhje me këtë ankesë është i disponueshëm në faqen e DHSK-së në internet.
Çështja-2021-02
Parashtruesi i ankesës kishte paraqitur një ankesë kundër Zyrës së Prokurorit të Specializuar (I) dhe një kundër Dhomave të Specializuara (II).
I. Ankesa kundër Zyrës së Prokurorit të Specializuar: Parashtruesi i ankesës pretendonte se gjatë hetimeve të kryera ndaj tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte shkelur të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe përmendte disa veprime hetimore konkrete që kishin ndodhur më shumë se 6 muaj përpara ankesës.
Gjithashtu, parashtruesi i ankesës pretendonte se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk i ishte përgjigjur kërkesës së tij për pushimin e hetimeve.
Në fund, parashtruesi i ankesës deklaronte se Avokati i Popullit ishte mjeti i vetëm juridik që i kishte mbetur. Sidoqoftë, pas paraqitjes së ankesës tek Avokati i Popullit, parashtruesi i ankesës u kishte paraqitur një kërkesë edhe Dhomave të Specializuara për pushimin e hetimit ndaj tij.
Vlerësimi: Lidhur me ankesën kundër Zyrës së Prokurorit të Specializuar, ajo duhet t’i dorëzohet Avokatit të Popullit brenda gjashtë muajsh nga shkelja e pretenduar, përveçse kur janë paraqitur arsye të vlefshme për shqyrtimin e ankesës. Në mungesë të arsyeve të vlefshme, Avokati i Popullit gjykoi se në përputhje me rregullën 29(3)(e) të Rregullores së Procedurës dhe Provave, kjo pjesë e ankesës ishte e papranueshme.
Lidhur me kërkesën e parashtruesit të ankesës drejtuar Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Avokati i Popullit konstatoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar, në fakt, i ishte përgjigjur asaj kërkese. Rrjedhimisht, në përputhje me rregullën 29(3)(b) të Rregullores së Procedurës dhe Provave, parashtruesi i ankesës nuk kishte provuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte kryer shkelje të të drejtave të njeriut.
Së fundi, Avokati i Popullit nuk mund të ndërhyjë në çështje gjyqësore ose procese të tjera ligjore para Dhomave të Specializuara. Rrjedhimisht, duke qenë se parashtruesi i ankesës u kishte paraqitur kërkesë Dhomave të Specializuara gjatë periudhës së vlerësimit të ankesës nga ana e Avokatit të Popullit, duke kërkuar pushimin e hetimit, në përputhje me rregullën 29(1) dhe 29(3)(a) të Rregullores së Procedurës dhe Provave, Avokati i Popullit nuk kishte juridiksion për të shqyrtuar ankesën.
Përfundim: Ankesa kundër Zyrës së Prokurorit të Specializuar u refuzua.
II. Ankesa kundër Dhomave të Specializuara: Parashtruesi i ankesës pretendonte se në versionin e redaktuar publik të një vendimi të Gjykatësit të Procedurës Paraprake, emri i tij ishte përmendur pa u redaktuar në paraqitjen e fakteve në lidhje me veprimet e tij konkrete, çka shkelte prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën e tij që çështja të gjykohej nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme.
Vlerësimi: Avokati i Popullit nuk mund të ndërhyjë në çështje gjyqësore ose procese të tjera ligjore para Dhomave të Specializuara. Rrjedhimisht, në përputhje me rregullën 29(1) dhe 29(3)(a) të Rregullores së Procedurës dhe Provave, Avokati i Popullit nuk kishte juridiksion për të shqyrtuar ankesën.
Përfundim: Ankesa ndaj Dhomave të Specializuara u refuzua.
Shënim: Vendimi pwr mospranimin e kësaj ankese gjendet në faqen zyrtare të internetit të DHSK-së.
2020
Çështja-2020-05
Ankesa: Parashtruesi i ankesës, shtetas shqiptar, pretendonte se kushti që për t’u punësuar në Zyrën e Prokurorit të Specializuar duhet të jesh shtetas i një vendi anëtar të BE-së ose i një vendi të tretë kontribues, shkelte të drejtën e tij për mosdiskriminim, dhe se Administratorja i kishte tejkaluar kompetencat e saj duke krijuar në mënyrë arbitrare këtë kriter për shtetësinë, pasi ky nuk është kriter në asnjë nga aktet ligjore që rregullojnë procedurën e rekrutimit dhe përzgjedhjes.
Vlerësimi: kriteri i shtetësisë për punësim në Zyrën e Prokurorit të Specializuar është në pajtim me ligjin, është objektiv e i përligjur dhe gjithashtu kushtetues.
Për më tepër, duke qenë se procedura e rekrutimit dhe përzgjedhjes zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjitha vendet e lira të punës, nuk ka shkelje të nenit 8 të KEDNJ-së.
Gjithashtu, duke qenë se situata e një parashtruesi kërkese për vend pune që nuk e ka shtetësinë e një vendi të BE-së ose të një vendi të tretë kontribues nuk është e krahasueshme me situatën e një parashtruesi kërkese për vend pune që ka një shtetësi të tillë, nuk ka pasur diskriminim dhe neni 14 i KEDNJ-së dhe neni 1(1) i Protokollit nr. 12 nuk janë shkelur. Gjithashtu, nuk ka shkelje të neneve 24, 36 dhe 49 të Kushtetutës.
Përfundim: Procedura e rekrutimit dhe përzgjedhjes, të cilën Administratorja është e detyruar ta zbatojë, është në përputhje me standardet e të drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut; Administratorja nuk i ka tejkaluar kompetencat e saj në zbatimin e kriterit të shtetësisë; procedura e rekrutimit dhe e përzgjedhjes është e ligjshme, e detyrueshme dhe në përputhje me Kushtetutën dhe nuk ka pasur trajtim të pabarabartë të parashtruesit të ankesës.
Shënim: Raporti i plotë në lidhje me këtë ankesë gjendet në faqen zyrtare të internetit të DHSK-së.