Prokurori i specializuar është përgjegjës për hetimin dhe ndjekjen penale të personave përgjegjës për krimet që përfshihen brenda juridiksionit të Dhomave të Specializuara dhe është i pavarur në kryerjen e detyrave të veta.
Prokurore e Specializuar është Kimbërli Uest (Kimberly West), e cila më parë ka qenë prokurore federale e SHBA-së me përvojë të gjerë si në hetimet për krime në nivel vendor ashtu edhe ndërkombëtar.
Znj. Uest iu bashkua ZPS-së në vitin 2023 nga Firma Ligjore Eshkroft (Ashcroft Law Firm) në Boston, Masaçusets (Massachusetts), ku ishte partnere që nga viti 2019.
Para se ti bashkohej Firmës Ligjore Eshkroft (Ashcroft Law Firm) znj. Uest punoi si prokurore për më shumë se dy dekada në role në nivel vendor, federal dhe ndërkombëtar.
Znj. Uest ishte Shefe e Byrosë së Krimeve në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Masaçusetsit në periudhën nga viti 2015 deri në 2019. Në këtë rol, ajo mbikëqyrte një ekip prej 120 profesionistësh të ngarkuar me hetimin dhe ndjekjen penale të një game të gjerë veprash penale në fushën e mashtrimeve financiare, korrupsionit publik, trafikut të drogës, lojërave të fatit dhe trafikimit të qenieve njerëzore; në mbrojtjen e të dënuarve në fazën e apelit; dhe në ndihmën për viktimat dhe dëshmitarët.
Znj. Uest mori detyrën në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm pasi erdhi nga Zyra e Prokurorit Federal të SHBA-së, Distrikti i Masaçusetsit, ku ajo shërbeu si Ndihmës-prokurore Federale e SHBA-së në Njësinë për Mashtrimet në Kujdesin Shëndetësor për dy vjet dhe në Njësinë e Sigurisë Kombëtare për gjashtë vjet. Znj. Uest mori detyrën në Njësinë e Sigurisë Kombëtare pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 ndaj Qendrës Tregtare Botërore dhe Pentagonit.
Për pesë vjet, në periudhën nga viti 2008 deri në 2013, znj. Uest shërbeu si prokurore në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë, ku ajo ishte pjesëtare e ekipit që ndoqi penalisht Radovan Karaxhiqin për rolin e tij në gjenocidin në Srebrenicë. Ajo ishte gjithashtu në ekipin e prokurorëve në çështjen gjyqësore Përliq et al që u përqendrua në krimet e kryera në Mostar dhe shkatërrimin e Urës së Vjetër.
Znj. Uest ka gradën Juris Doctor (Doktor në Drejtësi) nga Fakulteti Juridik i Universitetit të Safolkut, Masaçusets, dhe u bë anëtare e Dhomës së Avokatëve në Masaçusets. Ajo ka gjithashtu gradë universitare bachelor nga Kolegji i Bostonit, Masaçusets.