Xhek Smith (Jack Smith) shërbeu si Prokuror i Specializuar nga 7 maji 2018 deri më 18 nëntor 2022, pas Dejvid Shvendimanit (David Schwendiman), i cili shërbeu si Prokuror i Specializuar nga 1 shtatori 2016 deri në 31 mars 2018.
Z. Smith është prokuror amerikan me përvojë në hetime politike të nivelit të lartë dhe hetime penale ndërkombëtare. Para se të bëhej Prokurori i Specializuar, z. Smith ishte Zëvendëskryetar dhe Shef i Seksionit të Padive në Korporatën Spitalore të Amerikës, organizata më e madhe joqeveritare e shërbimit shëndetësor në Shtetet e Bashkuara, post të cilin e mbante që prej shtatorit 2017.
Nga shkurti i vitit 2015 deri në gusht 2017, z. Smith ishte Ndihmësprokuror i Parë Federal i SHBA-së dhe Ushtrues i Detyrës së Prokurorit Federal të SHBA-së për Rajonin e Mesëm në shtetin Tenesi.
Gjatë periudhës 2010-2015, z. Smith ishte Kreu i Seksionit për Integritet Publik në Departamentin e Drejtësisë së SHBA-së, ku ishte i ngarkuar me mbikëqyrjen dhe procedimin e çështjeve të ndërlikuara të korrupsionit publik në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Nga viti 2008 deri më 2010, z. Smith shërbeu si Koordinator i Hetimeve në Zyrën e Prokurorit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN). Në atë funksion ai mbikëqyri hetime delikate të zyrtarëve të qeverive dhe pjesëtarëve të forcave milicore të huaja për krime lufte, krime kundër njerëzimit, dhe gjenocid.
Përpara se të merrte detyrën në GJPN, z. Smith punoi në Zyrën e Prokurorit Federal të SHBA-së për Rajonin Lindor të Nju Jorkut, ku gjatë nëntë viteve shërbeu në poste të ndryshme, ndër të cilat ato të Kreut të Zyrës për Paditë Penale dhe Zëvendësshef i Seksionit Penal. Si Kreu i Zyrës për Paditë Penale, z. Smith kishte në vartësi rreth 100 prokurorë penalë në një sërë fushash, ndër të cilat korrupsioni publik, terrorizmi, krimet e dhunshme dhe bandat, mashtrimet financiare dhe krime të natyrës ekonomike.
Përpara marrjes së detyrës së Ndihmësprokurorit Federal të SHBA-së, z. Smith punoi për pesë vjet si Ndihmësprokuror Rajoni në Zyrën e Prokurorit të Kontesë së Nju Jorkut, ku shërbeu në Njësitë e Krimeve Seksuale dhe Dhunës në Familje.
Gjatë karrierës së tij z. Smith ka marrë një sërë çmimesh, si Çmimin e Drejtorit të Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së; Çmimin e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së për Shërbime të Shquara; Çmimin e Shoqatës Federale të Juristëve për prokurorët e rinj federalë; Çmimin Charles Rose të Shoqatës së Rajonit Lindor; Medaljen Henry L. Stimson nga Shoqata e Juristëve të Kontesë së Nju Jorkut; si dhe Bursën Pasuniversitare Wasserstein të Fakultetit Juridik të Universitetit të Harvardit.
Ai u diplomua në Fakultetin Juridik të Harvardit dhe në Universitetin Shtetëror të Nju Jorkut në Oneonta.
Z. Shvendiman ishte më parë Prokuror Federal i SHBA-së dhe një herë Zëvendës Kryeprokuror dhe Shef i Departamentit Special për Krime Lufte në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ai u emërua Prokuror i Specializuar kur Task Forca Hetimore Speciale (TFHS) u shndërrua në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS), pasi kishte qenë Prokuror Udhëheqës i TFHS-së nga qershori i vitit 2015.
Përpara se t’i bashkohej TFHS-së, ai kishte punuar në Kabul, Afganistan, si Ndihmës Inspektor i Përgjithshëm Special/Drejtor i Planifikimit Paraprak nën Inspektorin e Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Afganistanit dhe, para kësaj, si Atashe i Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së në ambasadën amerikane.
Nga viti 2006 deri në 2009, z. Shvendiman shërbeu si prokuror ndërkombëtar në Departamentin Special për Krime Lufte në Zyrën e Prokurorit në Bosnjë dhe Hercegovinë, ku hetoi dhe ndoqi penalisht krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Bosnjë dhe Hercegovinë gjatë luftës së Bosnjës 1992-1995. Nga nëntori i vitit 2007 deri në fund të vitit 2009 ishte Zëvendës Kryeprokuror dhe Shef i Departamentit Special për Krime Lufte.
Z. Shvendiman përfaqësoi Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së në planifikimin, përgatitjen dhe zbatimin e masave të sigurisë në tri Lojëra Olimpike – në Sidni 2000, Solt Lejk Siti 2002 dhe Athinë 2004. Ai kreu gjithashtu detyra të shumta për Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së në Bahrein, Bangladesh, Tajlandë dhe Vietnam.
Z. Shvendiman e filloi karrierën e tij si prokuror në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit Utah në vitin 1976. Ai u kthye në Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit Utah në vitin 1984 pasi shërbeu për shtatë vjet si këshilltar juridik në Marinën Ushtarake të SHBA-së, ku mori gradën nënkomandant. Ai iu bashkua Departamentit të Drejtësisë së SHBA-së si Ndihmës Prokuror Federal i SHBA-së në Rajonin e shtetit Utah në vitin 1986, ku kreu funksione të ndryshme, ndër të tjera edhe si Jurist i lartë për Procedimet, Ndihmësprokuror i Parë Federal i SHBA-së, dhe Prokuror i Përkohshëm Federal i SHBA-së në Rajonin e shtetit Utah, para se të pensionohej nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së në vitin 2014.
Z. Shvendiman u diplomua në Fakultetin Juridik të Universitetit të Utahut (sot Fakulteti Juridik S.J. Quinney) në vitin 1976, ku ka punuar si profesor i jashtëm i së drejtës që prej vitit 1994.