Më 8 prill, ekipi i Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim i Dhomave të Specializuara të Kosovës mori pjesë në një ligjëratë dhe diskutim me videokonferencë me nxënës të Shkollës Finlandeze të Kosovës. Në këtë aktivitet, të organizuar në bashkëpunim me Nismën Rinore për të Drejtat e Njeriut, përfaqësues të Dhomave të Specializuara të Kosovës folën për funksionimin e gjykatës, llojet e krimeve që mbulon juridiksioni i saj dhe për mënyrat se si Dhomat e Specializuara garantojnë procedura të drejta, të paanshme dhe të sigurta. Aktiviteti ishte ndërveprues dhe nxënësit e shfrytëzuan këtë mundësi për të bërë komente dhe pyetje të ndryshme.
Në këtë kohë krize të jashtëzakonshme shëndetësore mbarëbotërore, Dhomat e Specializuara të Kosovës po ndërmarrin hapa për të siguruar vazhdimësinë e informimit të njerëzve në Kosovë lidhur me gjykatën dhe veprimtarinë e saj, për sqarimin e keqkuptimeve dhe për t’iu dhënë përgjigje pyetjeve dhe shqetësimeve të njerëzve. Ndër këto hapa janë planifikimi i aktiviteteve të tjera në Internet, nëpërmjet prodhimit dhe transmetimit të më shumë materialeve filmike informuese dhe, si gjithmonë, nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë me shoqërinë civile.
Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe të gjitha njësitë përbërëse të saj kanë marrë masa për t’iu përgjigjur pandemisë së koronavirusit duke vazhduar njëkohësisht punën në të gjitha aspektet e veprimtarisë për përmbushjen e mandatit të tyre.