Sot, më 1 nëntor, Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) kanë shtuar emra të rinj në Listat e Mbrojtësve për përfaqësimin e të dyshuarve, të akuzuarve dhe viktimave, përpos atyre që ishin pranuar më herët. Listat e reja të përditësuara përmbajnë emrat e 119 juristëve nga Kosova, Serbia dhe një numër shtetesh të tjera. Juristët që e kanë emrin në listë mund të zgjidhen për të përfaqësuar të dyshuar, të akuzuar, një grup viktimash, apo këdo tjetër që gëzon të drejtën e përfaqësimit juridik në procedurat para Dhomave të Specializuara të Kosovës, në përputhje me Ligjin për krijimin e DHSK-së dhe Direktivën për Mbrojtësit. Mbrojtësit mund të zgjedhin nëse duan që emrat e tyre të përmenden publikisht në faqen e internetit të DHSK-së.
Ky është raundi i tretë i shpalljeve, pas Listave të shpallura më 14 mars 2018 dhe 11 maj 2018. Listat publike të mbrojtëse mund të shihen në tabelën që gjendet në faqen e internetit të DHSK-së.
Që prej fillimit të procesit në nëntor të vitit 2017, Zyra e Mbrojtjes dhe Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave kanë marrë kërkesa të shumta për pranim. Vlerësimi i kërkesave dhe procesi i pranimit të mbrojtësve do të vazhdojnë edhe më tej. Me vijimin e procesit të vlerësimit, këto Lista të Mbrojtësve do të përditësohen vazhdimisht dhe në to do të pranohen edhe kandidatë të tjerë, që do të thotë se procesi mbetet i hapur.
Hollësitë në lidhje me pranimin mund t’i gjeni në Udhëzuesin për plotësimin e formularit.