Alan Tigër (Tieger) ka marrë Çmimin e Drejtësisë M.C. Bassiouni për vitin 2023 për punën e tij të jashtëzakonshme si prokuror në disa nga çështjet gjyqësore më të rëndësishme në fushën e ligjit penal ndërkombëtar në këto tre dekadat e fundit.

Ky çmim iu dha z. Tigër, që është prokuror i lartë në Zyrën e Prokurorit të Specializuar (ZPS) që nga viti 2017, si mirënjohje për shërbimin e tij si prokuror i krimeve ndërkombëtare që nga vitit 1994. Juria ngriti lart ndër të tjera standardet e tij shembullore të profesionalizmit të përpiktë, të palodhur e pa kompromis, si dhe aftësitë e tij të shquara të avokatisë dhe etiketës në sallën e gjyqit.

Çmimi i Drejtësisë M.C. Bassiouni jepet çdo vit nga Qendra Kërkimore dhe e Politikave në Fushën e Ligjit Ndërkombëtar.

Z. Tigër është shtetas amerikan me përvojë të gjerë si në SHBA ashtu edhe në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (TPNJ), ku punoi nga vitit 1994, ashtu edhe në ZPS. Z. Tigër u përfshi në shumë nga çështjet gjyqësore më të rëndësishme të TPNJ-së, si në gjyqin e saj të parë, atë kundër Dushko Tadiqit (Duško Tadić), dhe gjyqin e saj të fundit, atë kundër Ratko Mlladiqit (Mladić).

Para se të punonte për TPNJ-në, z. Tigër shërbeu si prokuror federal në Sektorin e të Drejtave Civile, Seksioni Penal, të Departamentit amerikan të Drejtësisë nga viti 1987 deri në vitin 1994, dhe ka ndjekur çështje të dhunës racore dhe brutalitetit të policisë në të gjithë vendin, përfshirë çështjen Rodni King (Rodney King).

Në ZPS, z. Tigër është përqendruar kryesisht në hetimin dhe gjyqin e çështjes Thaçi dhe të tjerët.

Z. Tigër ka marrë më parë çmime të shumta për punën e tij në fushën e ligjit penal vendor dhe ndërkombëtar, përfshirë Çmimin për Shërbim të Shquar të Departamentit amerikan të Drejtësisë, Lavdërimin e Prokurorit të Përgjithshëm për Shërbim ndaj Drejtësisë Amerikane dhe Ndërkombëtare, Çmimin AAJLJ për Ndjekjen e Drejtësisë, Çmimin Karta e Drejtësisë së Bosnjës, dhe Çmimin Mirënjohës Certifikata e Vlerësimit të Qytetit të Sarajevës.

Burimi: 
Zyra e Prokurorit tё specializuar