Më 23 qershor, Administratorja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), dr. Fidelma Donlon, dhe Prokurori i Specializuar, Xhek Smith, patën një takim me pjesëmarrësit në Rrjetin e Informimit për Gjykatën (RRIGJ), grup i përbërë nga 15 organizata të shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia.
Qëllimi i takimit ishte dhënia e informacionit në lidhje me mandatet e veçanta dhe të ndryshme të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe Zyrës Administrative të DHSK-së dhe dëgjimi i mendimeve dhe rekomandimeve të OJQ-ve lidhur me aktivitetet e komunikimit dhe ndërgjegjësimit.
“Ka rëndësi themelore që të njohim e të kuptojmë pritshmëritë e njerëzve që ndikohen nga puna jonë. Unë dua që të jem sa më transparent brenda kufijve ligjorë, profesionalë dhe etikë për prokurorët dhe për këtë arsye jam i hapur ndaj sugjerimeve tuaja për aktivitete ku pjesëmarrja ime mund të sjellë ndryshim pozitiv,” deklaroi Prokurori i Specializuar.
Edhe Administratorja I informoi pjesëmarrësit lidhur me shërbimet gjyqësore që ofron Zyra Administrative si edhe për zhvillimet lidhur me proceset gjyqësore, përfshirë edhe zhvillimet lidhur me Kovid-19.
“Ka interes të madh të publikut në Kosovë dhe në rajon për proceset gjyqësore dhe veprimtarinë tonë. Që me fillimin e seancave publike shtatorin e vitit të shkuar, faqen tonë në Internet e kanë parë thuajse 100 mijë njerëz, prej të cilëve 96 mijë ishin për herë të parë. Është me rëndësi jetike që t’i shpjegojmë qartë publikut punën tonë,” u shpreh Administratorja.
Nga një anketim i opinionit publik i kohëve të fundit rezulton se 59% e njerëzve në Kosovë mendojnë se janë “deri diku” ose “shumë” të informuar në lidhje me Dhomat e Specializuara të Kosovës. Sa u përket mendimeve lidhur me mbrojtjen e dëshmitarëve, shumica dërrmuese e të anketuarve u pajtuan se institucionet janë të gatshme të reagojnë në mënyrë të shpejtë dhe të fuqishme për mbrojtjen e dëshmitarëve.
Angazhimi i njerëzve në Kosovë dhe në rajon në dialog përmes një programi aktiv për komunikim dhe ndërgjegjësim ka qenë përparësi e DHSK-së që prej themelimit të saj. Ekipi i programit për komunikim dhe ndërgjegjësim organizon takime mujore me pjesëmarrës anembanë Kosovës ku shpjegon zhvillimet lidhur me proceset gjyqësore, dëgjon mendimet dhe shqetësimet e pjesëmarrësve dhe u përgjigjet pyetjeve të tyre. Gjatë pandemisë së Kovid-19, aktivitetet për komunikim dhe ndërgjegjësim u zhvendosën përkohësisht në Internet.
Gjithashtu DHSK-ja përgatit video informuese për transmetim në gjuhën shqipe, serbe dhe angleze, lidhur me masat mbrojtëse për dëshmitarët, pjesëmarrjen e viktimave, mandatin e Dhomave të Specializuara dhe Avokatin e Popullit të DHSK-së.
Që nga viti 2018 veprimtaritë e komunikimit dhe ndërgjegjësimit në Kosovë financohen me mbështetjen bujare të Zvicrës.