KSC-BC-2018-01 (numri i përkohshëm i çështjes)

Isni Kilaj u arrestua në Kosovë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 3 nëntor 2023 për vepra penale të pretenduara kundër administrimit të drejtësisë. Më 15 dhjetor 2023, ZPS-ja dorëzoi aktakuzën fillestare kundër Kilajt për konfirmim, pasuar nga aktakuza e rishikuar më 11 mars 2024. Në vijim, më 2 maj 2024, ZPS-ja kërkoi pezullimin e aktakuzës së rishikuar për të dorëzuar një version tjetër të ndryshuar për konfirmim. Duke marrë parasysh këto zhvillime si dhe prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për liri të Kilajt, ndër faktorët tjerë, Gjykatësi i Vetëm i DHSK-së përcaktoi se zgjatja e paraburgimit të Kilajt do të ishte e paarsyeshme. Rrjedhimisht, më 15 maj 2024, Gjykatësi urdhëroi lirimin e Kilajt në Kosovë me kushte të rrepta. Më 18 korrik 2024, ZPS-ja njoftoi se ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar. 

KSC-BC-2023-10

Më 6 tetor 2023, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u transferuan në objektin e Paraburgimit të DHSK-së, ndërsa Haxhi Shala u transferua më 12 dhjetor 2023. Të tre personat akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Më 13 dhjetor 2023, ZPS-ja dorëzoi kërkesë për bashkimin e çështjes Januzi dhe Bahtijari (KSC-BC-2023-10) me çështjen Haxhi Shala (KSC-BC-2023-11). Në vijim, më 8 shkurt 2024, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së dhe vendosi që çështja e përbashkët do të quhet Prokurori i Specializuar kundër Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës dhe do të mbajë numrin e çështjes KSC-BC-2023-10. Më 4 shtator 2024, Gjykatësja e Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I. Konferencat përgatitore për gjykimin u mbajtën më 7 dhe 8 tetor 2024. Deklaratat hyrëse fillimisht u caktuan për 14 dhe 15 nëntor 2024, por më 12 nëntor 2024, Trupi Gjykues vendosi që këto seanca të mos mbahen, duke lënë datën e fillimit të gjykimit aktualisht në pritje.