Në emër të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Administratorja Fidelma Donlon ka nënshkruar një marrëveshje me Departamentin Federal Zviceran të Punëve të Jashtme (FDFA) sipas së cilës Zvicra do të vazhdojë mbështetjen financiare të veprimtarive informuese dhe ndërgjegjësuese të DHSK-së në Kosovë në 2020 dhe 2021.

Ekipi i programit për komunikim dhe ndërgjegjësim i DHSK-së ka udhëtuar për në Kosovë rreth një herë në muaj për të zhvilluar takime në të cilat pjesëmarrësve u jepet mundësia të mësojnë për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, të bëjnë pyetje dhe të ngrenë shqetësimet e tyre. Gjatë viteve 2018 dhe 2019, me mbështetjen FDFA-së zvicerane dhe në bashkëpunim me organizata joqeveritare të Kosovës u mbajtën 53 veprimtari të tilla në 17 vende të ndryshme anembanë Kosovës, me rreth 1300 pjesëmarrës.

Donacioni i ri do të përdoret për financimin e fazës së dytë të programit për komunikim dhe ndërgjegjësim, gjatë së cilës DHSK-ja do të vazhdojë bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe takimet e drejtpërdrejta me qytetarët, si dhe përpjekjet për të ndërvepruar me më shumë njerëz përmes mjeteve të informimit dhe mediave sociale. Dhomat e Specializuara gjithashtu do t’i informojnë njerëzit për fazat e ndryshme të procedurave juridike para tyre. 

Në kushtet e pandemisë aktuale të shkaktuar nga virusi COVID-19, ekipi i programit për komunikim dhe ndërgjegjësim po planifikon veprimtari shtesë, me përdorim të video-konferencave dhe mjeteve të tjera teknike, për të siguruar informimin e njerëzve lidhur me gjykatën dhe vazhdimin e një dialogu të shëndoshë me qytetarët, nëse masat aktuale të shëndetit publik për luftimin e përhapjes së virusit COVID-19 do të mbeten në fuqi për një periudhë të gjatë kohe.

“Komunikimi dhe ndërgjegjësimi kanë qenë pjesë përbërëse e veprimtarive të DHSK-së që nga fillimi. Dëshiroj të falënderoj Zvicrën për kontributin e saj thelbësor dhe të vazhdueshëm në përpjekjet tona për vendosjen e një dialogu transparent me njerëzit në Kosovë dhe informimin e tyre në lidhje me gjykatën dhe veprimtarinë e saj,” deklaroi Administratorja.

“Shpreh mirënjohjen dhe falënderimin tim ndaj Zvicrës si shtet kontribues për vendimin për të vazhduar mbështetjen e programit për komunikim dhe ndërgjegjësim edhe për dy vite të tjera,” deklaroi Kryetarja Ekaterina Trendafilova. 

Burimi: 
Dhomat e specializuara