Administratorja Fidelma Donlon ka nënshkruar një marrëveshje për subvencionim me Zvicrën, në emër të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), e cila parashikon që Departamenti Federal i Punëve të Jashtme i Zvicrës (DFPJ) do të vazhdojë mbështetjen e tij financiare për veprimtarinë informuese dhe ndërgjegjësuese të DHSK-së në Kosovë përgjatë viteve 2022 dhe 2023.
Me fillimin e gjykimeve, që transmetohen në tri gjuhët zyrtare të gjykatës dhe përcillen nga afër nga mediat e Kosovës, ky donacion i ri i Zvicrës do t’i mundësojë DHSK-së të vazhdojë dhe intensifikojë dialogun e saj me shoqërinë civile dhe qytetarët e Kosovës, gjatë kësaj periudhe dinamike të proceseve gjyqësore.
“Si Kryetare e Dhomave të Specializuara, unë e konsideroj shumë të rëndësishme që DHSK-ja të vazhdojë një dialog të hapur the transparent me popullin e Kosovës. Është e domosdoshme që qytetarët të kuptojnë mandatin tonë për të administruar drejtësi në mënyrë të drejtë, të sigurt, të paanshme dhe të pavarur,” tha Kryetarja e DHSK-së Ekaterina Trendafilova. “Dua të falenderoj Zvicrën si shtet kontribues, për vendimin për të vazhduar mbështetjen e saj për Programin tonë për Komunikim dhe Ndërgjegjësim edhe për dy vite të tjera.”
Nëpërmjet Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim, dhe me mbështetjen e Zvicrës që nga viti 2018, DHSK-ja ka zhvilluar mbi njëqind aktivitete ndërvepruese me komunitetet në mbarë Kosovën, duke përfshirë drejtpërdrejt në to mbi 2200 pjesëmarrës. Në aktivitetet e organizuara në bashkëpunim me shoqërinë civile, të rinj dhe studentë, gazetarë, juristë, përfaqësues të pakicave dhe qytetarë të tjerë kanë mundësinë të dëgjojnë nga përfaqësuesit e gjykatës për punën e saj, të bëjnë pyetje dhe të shprehim pikëpamjet e tyre.
Gjithashtu, Programi për Komunikim dhe Ndërgjegjësim është përpjekur të mbajë të informuar publikun e gjerë me materiale informuese, duke përfshirë videoklipe për tema të tilla si mandati i gjykatës, mbrojtja dhe mbështetja e dëshmitarëve, pjesëmarrja e viktimave si dhe në lidhje me pyetjet që bëhen më shpesh në aktivitetet për komunikim dhe ndërgjegjësim. Këto materiale filmike janë transmetuar me qindra herë në televizion në shqip dhe serbisht dhe janë shikuar me mijëra herë në faqen zyrtare të internetit dhe në kanalin në YouTube të DHSK-së (https://www.scp-ks.org/sq/dhsk-outreach/video-materiali).