Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës (DFPJ) do të vazhdojë mbështetjen financiare për veprimtaritë informuese dhe ndërgjegjësuese të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Kosovë.

Javën e shkuar, Admistratorja e DHSK-së Fidelma Donlon, në emër të Dhomave të Specializuara, nënshkroi një marrëveshje për subvencionim me Zvicrën e cila mbështet financiarisht Programin për Komunikim dhe Ndërgjegjësim gjatë viteve 2024 dhe 2025.

Me gjashtë çështje gjyqësore që janë duke vijuar në faza të ndryshme të proceseve, subvencioni i ri do t’i mundësojë DHSK-së të vazhdojë dialogun me qytetarët në Kosovë, duke i informuar për proceset gjyqësore, dëgjuar pikëpamjet dhe duke iu përgjigjur pyetjeve të tyre.   

“Dhomat e Specializuara të Kosovës funksionojnë sipas mandatit të miratuar nga Kuvendi i Kosovës për mbështetjen e shtetit ligjor në lidhje me krimet e pretenduara brenda juridiksionit të saj,” tha Kryetarja e DHSK-së Trendafilova. “Por, për shkak se proceset po zhvillohen në Hagë dhe bazohen në një Ligj të posaçëm për DHSK-në, disa aspekte të funksionimit të Gjykatës mund të jenë të paqarta për njerëzit. Kjo është arsyeja pse e konsideroj kaq të rëndësishme të vij në Kosovë, siç bëra javën e kaluar, për të shpjeguar se çfarë po ndodh dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve.”

Që nga viti 2018, DHSK-ja ka zhvilluar mbi 150 veprimtari ndërvepruese me komunitetet në mbarë Kosovën, duke përfshirë drejtpërdrejt në to mbi 3.500 pjesëmarrës.

“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për Zvicrën, si shtet kontribues i DHSK-së, për vijimin e mbështetjes së përpjekjeve tona për ta sjellë drejtësinë më afër popullit në Kosovë, duke i informuar ata për mënyrën se si gjykimet në DHSK zhvillohen në mënyrë të drejtë, të sigurt, të paanshme dhe të pavarur,” tha Kryetarja. “Komunikimi dhe ndërgjegjësimi kanë qenë përparësi e DHSK-së që nga fillimi dhe mbështetja e Zvicrës ka qenë jetike për këtë punë.” 

Në veprimtaritë e organizuara në bashkëpunim me shoqërinë civile, të rinj dhe studentë, gazetarë, juristë, përfaqësues të pakicave dhe qytetarë të tjerë kanë mundësinë të dëgjojnë nga përfaqësuesit e Gjykatës për punën e saj, të bëjnë pyetje dhe të shprehin pikëpamjet e tyre. Gjithashtu, ekipi i Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim informon publikun në Kosovë nëpërmjet videoklipeve informative ku trajtohen pyetjet që bëhen më shpesh në veprimtaritë e Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim. 

Publiku mund t’i zgjerojë njohuritë për Gjykatën dhe ta përcjellë punën e saj në faqen e internetit të DHSK-së, Twitter, Instagram dhe YouTube.

Burimi: 
Dhomat e specializuara