Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) arrestoi në Kosovë Haxhi SHALËN në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim të lëshuar nga Gjykatësi i Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës.
Ai është transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara të Kosovës pa vonesa të panevojshme.
Fletarrestimi lidhet me krime kundër administrimit të drejtësisë.
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në, në pajtim me mandatin e vet dhe sipas legjislacionit të Kosovës. Edhe Policia e Kosovës dha mbështetje operative për ZPS-në.
Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale.
Pas arrestimit të Z. Shala, Prokurorja e Specializuar Kimbërli UEST (Kimberly WEST) konfirmoi se mbrojtja e dëshmitarëve mbetet një prioritet për ZPS-në.
“Është shumë e rëndësishme që të garantohet që qytetarët e Kosovës të flasin për të thënë të vërtetën dhe pa kërcënime për përvojat e tyre, jo vetëm që ky institucion të jetë i aftë të japë drejtësi por edhe për sundimin e ligjit në Kosovë,” tha Znj. UEST. “ZPS-ja do të vazhdojë të bëjë çdo gjë brenda fuqive të saj për të mbrojtur viktimat e dëshmitarët dhe për të vënë para përgjegjësisë ata që shkelin ligjet e Kosovës për interesat e tyre private.”